Sport

Nuk ka më pritje, Serie A ngre siparin për sezonin e ri futbollistik


Serie A italiane do të nisë ditën e shtunë të 21 gushtit sezonin e ri futbollistik 2021/22. Tetë skuadra do të zbresin në fushë në ditën e parë hapëse të kampionatit, ku mes të cilave do të jetë edhe ekipi kampion në fuqi, Inter-i.

Dy ndeshje do të luhen duke filluar nga ora 18:30 dhe dy të tjera nga ora 20:45. Inter-i do të presë Genoa-n në “Giuseppe Meazza”, duke filluar nga ora 18:30. Kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare e Simone Inzaghi-t me Inter-in.

Inzaghi-t do të jetë në këtë përballje pa sulmuesin kryesor, Lautaro Martinez-in, si dhe pa Alexis Sanchez-in dhe Roberto Gagliardini-n.

Përballja e fundit mes Inter-it dhe Genoa-s ishte në shkurt të 2021, ku zikaltrit fituan me rezultatin 3-0.

Ndeshja tjetër e orës 18:30 do të jetë ajo mes Hellas Verona-s dhe Sassuolo-s. Sfida do të luhet në “Marc Antonio Bentegodi”.

Të dy skuadrat kanë trajnerë të rinjë këtë sezon. Verona drejtohet nga Eusebio di Francesco. Sassuolo drejtohet nga Alessio Dionisi.

Sassuolo ka fituar dy përballjet e fundit me Verona-n, në sezonin e kaluar të Serie A.

Empoli i sapongjitur në Serie A do të presë në ndeshjen e parë të kampionatit Lazio-n. Sfida do të luhet në “Carlo Castellani”, duke filluar nga ora 20:45.

Për Maurizio Sarri-n do të jetë ndeshja e parë zyrtare me ekipin e Lazio-s dhe pikërisht ndaj një skuadre të cilën e ka drejtuar më parë.

Në total, do të jetë aventura e katër në Serie A për Sarri-n, pas asaj me Empoli-n, Napoli-n dhe Juventus-in.

Për herë të fundit, Empoli është përballur me Lazio-n në vitin 2019, ku lacialët fituan minimalisht 1-0.

Ndeshja tjetër e orës 20:45 do të jetë ajo mes Torino-s dhe Atalanta-s. Ndeshja do të luhet “Stadio Olimpico Grande Torino”. Për Ivan Juric-in kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare nën drejtimin e Torino-s.

Gian Piero Gasperini-t të Atalanta-s do i mungojnë pesë lojtarë të formacionit bazë: Duvan Zapata, Hans Hateboer, Remo Freuler, Rafael Toloi dhe Marten de Roon.

Përballja e fundit mes dy skuadrave ka qenë në shkurt të 2021, një barazim 3-3 në Bergamo.

Ditën e diel dhe të hënë do të luhen ndeshjet e tjera që do të përmbyllin edhe javën e parë të Serie A.

Të dielën:

Udinese – Juventus

Bologna – Salernitana

Napoli – Venezia

Roma – Fiorentina

Të hënën:

Cagliari – Spezia

Sampdoria – Milan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore