Lajme

Nuk ka kuroum, shtyhet shqyrtimi i tërheqjes nga Trusti


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i indinjuar me mos votimin e disa amendamenteve, në seancën plenare të së mërkurës, ka ndërprerë punimet e saj, ku pritej të shqyrtohej Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Në mungesë të kuorumit, Konjufca, ka thënë se kjo seancë shtyhet për nesër në ora 10:00.

Nga seanca e ditës së mërkurë për shkak të mungesës së kuorumit nuk u shqyrtua asnjë pikë e rendit të ditës, me përjashtim të asaj për akcizën në produktet e duhanit.

Sipas propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se që tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, kishte theksuar Kurti.

Sipas tij, edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues. Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore