Sport

Nuk ka fitues në derbin e Madridit, Atletico dhe Real-i ndajnë nga një pikë


Ka përfunduar ndeshja derbi midis Atletico Madrid-it dhe Real Madrid-it, në La Liga, me rezultatin 1-1.

Ndeshja u luajt për llogari të javës së 26 në La Liga. Edhe pse me një ndeshje më pak, Atletico vijon kryesimin e kampionatit me 59 pikë. Real-i mbetet në vendin e tretë me 54 pikë, dy më pak se Barcelona e vendit të dytë.

Në “Wanda Metropolitano” ishin miqtë që zotëruan lojën me mbajtjen e topit, por goli i parë i sfidës erdhi nga vendasit.

Në të 15 minutë të pjesës së parë, Luis Suarez-i ndëshkoi Los Blancos, pasi shfrytëzoi mirë një asist të Marcos Llorente-s. Pjesa e parë do të përfundonte 1-0 për ekipin e Diego Simeone-s.

Në pjesën e dytë, Real-i i Zinedine Zidane-t ishte më kërkues dhe arriti ta gjente golin dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit.

Pas një asisti nga Casemiro, Karim Benzema e ndali topin në rrjet. Gol, i cili do të vuloste edhe shifrat përfundimtare të takimit.

Lojtari i ndeshjes sipas Sofascore-s, ishte mesfushori i Real-it, Casemiro, i vlerësuar me notën 8.3. Pas tij vinte Jan Oblak-u me notën 8.

Angel Correa për Atletico-n, Ferland Mendy dhe Rodrygo per Real-in, ishin më të dobëtit në fushë, të vlerësuar me notën 6.3.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore