Shqipëria

Nuk ka – dhe nuk mund të ketë – padi ndaj Soreca-s në SPAK


Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bëri me dije të hënën e 12 korrikut se do të çonte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.

Sipas pretendimeve të Aleancës, ambasadori ka ndërhyrë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Tashmë, dy ditë më pas – edhe pse publikisht i paditur – në SPAK nuk ka shkuar asnjë akuzë ndaj ambasadorit.

Këtë fakt e kanë konfirmuar për Albanian Post edhe burime brenda selisë diplomatike evropiane.

Padi, për Soreca-n, nuk ka. Madje, as nuk mund të ketë!

Avokati me përvojë në çështje ligjore, Gedeon Dudushi, ka shpjeguar për Albanian Post se SPAK-u ka “zero juridiksion” për të hetuar jo vetëm ambasadorin Soreca. E njëjta gjë madje, vlen për të gjithë përfaqësuesit diplomatikë në Shqipëri.

Por, ka vetëm një mënyrë sipas Dudushit, nëpërmjet të cilës mund të fillohet një hetim. “Kjo, ndodh vetëm nëse dikush kapet në flagrancë duke kryer veprën”.

Skema ligjore gjithsesi, nuk është ajo e hetimit të drejtpërdrejtë ndaj Ambasadorit, edhe në këtë rast. Hetimi duhet të ndodhë ndaj dikujt tjetër, por ku mund të ketë përfshirje të përfaqësuesit diplomatik në fjalë.

“Nëse do të kishte hetime për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe në përgjim e sipër del që ai kryen një vepër penale në bashkëpunim me Ambasadorin, atëherë mund të justifikohej ligjërisht hetimi”, shtjellon Dudushi.

Për sa i përket SPAK-ut ndërkohë, në rast të një kërkese të tillë, Prokuroria e Posaçme ka detyrimin ligjor ta refuzojë kërkesën.

Në këtë rast, ende nuk ka një kërkesë konkrete. Por, nëse eventualisht ndodh, SPAK-u duhet ta shpërfillë.

Teatri, Soreca dhe Kushtetuesja

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), të hënën e 12 korrikut, ka kallëzuar në SPAK ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.

Sipas tyre, ambasadori Soreca “ka tentuar të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit”.

“Në referim të dispozitave ligjore, e shikojmë si konsumim të veprave penale të ambasadorit Soreca, i cili, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë tentuar të ndikojnë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha përfaqësuesja e AMT-së në një deklaratë për media, pas kallëzimit penal.

Ndonëse kjo është hera e 12-të që AMT-ja paraqitet pranë SPAK-ut për kallëzime penale, kësaj radhe denoncimi është për ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, i cili sipas hamendësimeve të tyre, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka ushtruar presion të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e teatrit.

Për Evropën, veç shpifje

Kallëzimin ndaj ambasadorit Soreca në SPAK nga ana e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, zyrtarët e BE-së e kanë quajtur “shpifje”.

“Kemi besim tek ambasadori Soreca. Akuzat janë shpifje dhe të pabazuara. Soreca ka besimin e plotë nga liderët e Brukselit. Ai po bën një punë të mirë në Shqipëri për komunikimin mes BE-së dhe Shqipërisë”.

Kallëzimin ndaj ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, në SPAK, nga ana e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, zyrtarët e BE-së e kanë quajtur “shpifje”.

“Kemi besim tek ambasadori Soreca. Akuzat janë shpifje dhe të pabazuara. Soreca ka besimin e plotë nga liderët e Brukselit. Ai po bën një punë të mirë në Shqipëri për komunikimin mes BE-së dhe Shqipërisë”.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Më 2 korrik 2021, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e pjesshëm për Teatrin Kombëtar, përmes të cilit rrëzohet vendimi i Këshillit të Ministrave për t’ia kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës godinën.

Në Pikën 3 të vendimit thuhet se Gjykata shfuqizon vendimin “për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë (nr.1/241) me emërtimin “Teatri Kombëtar”, duke e nxjerrë të papajtueshëm me Kushtetutën.

Vendimi, po ashtu, shfuqizon ligjin “për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”. Sërish, i papajtueshëm me Kushtetutën.

Mirëpo, Kushtetuesja ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë “për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt-Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Çështja e Teatrit Kombëtar, që prej prishjes së tij më 17 maj 2020, ka qenë ndër më të bujshmet në Shqipëri. Aktorë të shoqërisë civile janë përplasur me institucionet shtetërore, duke protestuar shpesh edhe në kohë pandemie.

Të përfshirë në çështje, kanë qenë edhe aktorë ndërkombëtarë. Ndër më të zëshmit, Europa Nostra, organizata pan-europiane për trashëgiminë kulturore.

Punimet për Teatrin e ri Kombëtar tashmë janë ndërprerë. Ndërkohë, vendimi i plotë i Kushtetueses, pritet t’i japë fund një sage konfliktuale disa vjeçare për skenën teatrore shqiptare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore