Sport

Nuk i lejuan simbolet kombëtare, Donjeta Sadiku bojkoton Botërorin e boksit


Donjeta Sadiku

Medalistja e bronztë e botës dhe Evropës, Donjeta Sadiku, përfundimisht nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që nis këtë të martë në New Delhi të Indisë.

Ministria e Jashtme e Indisë, dha të hënën dritën e gjelbër për marrjen e vizës për ekipin e Kosovës, disa orë më vonë Federatës së Boksit të Kosovës iu kushtëzua pjesëmarrja.

Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres Sadiku mund të bëhet vetëm me dy kushte.

Kushti i parë ishte që flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror.

Dhe, kushti tjetër ishte se pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të mbajnë flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.

Duke pasur parasysh kushtet “diskriminuese” të vendosura nga organizatorët e turneut, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturën dhe Sportin vendosën të mos paraqiten në Botëror.

Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe njëherazi mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore