Shqipëria

Nuk është veç një Perëndim: A po realizohet parashikimi i Robert Kagan – përçarja e evropianëve kantianë me amerikanët hobbesianë?


Ilustrim

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe krijimi i Bashkimit Evropian, amerikanët dhe evropianët kanë trajtuar në mënyra të ndryshme prioritetet strategjike në politikën e jashtme.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës u duk sikur ka unifikuar përfundimisht perëndimin me armikun e përbashkët që kërcënon.

Por, me gjasë për shumë shkurt.

Zyrtarët e lartë evropianë kanë filluar ankesat.

Ata janë të zemëruar me administratën e Joe Biden-it dhe tani po i akuzojnë amerikanët se kanë bërë pasuri nga lufta, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian po vuajnë.

Kjo pakënaqësi nuk po mbahet vetëm brenda salloneve diplomatike në mes zyrtarëve evropianë.

Një prej tyre, me funksion të lartë, ka folur për prestigjiozen “Politico”.

“Fakti është, nëse e shikoni me maturi, vendi që po përfiton më shumë nga kjo luftë janë SHBA-të sepse po shesin më shumë gaz dhe me çmime më të larta dhe po shesin më shumë armë”, tha ai.

Komentet shpërthyese – të mbështetura publikisht dhe privatisht nga zyrtarë, diplomatë dhe ministra gjetkë – pasojnë zemërimin në rritje në Evropë mbi subvencionet amerikane që “kërcënojnë të shkatërrojnë industrinë evropiane”.

Robert Kagan

Tashmë është e qartë se BE-ja, meqë ka filluar të identifikojë interesat e politikës së jashtme, nuk do të qëndrojë si vëzhguese pasive ose si mbështetëse e dëgjueshme e çfarëdo politike që vjen nga SHBA-të.

Kritiku amerikan, Robert Kagan, në vitin 2003 kishte shkruar një libër rreth kësaj përplasje, të cilën ai e shihte si me potencial akoma më të madh thellimi, shkruan Albanian Post.

Në hyrje të librit “Pushtet dhe Parajsë: Amerika dhe Evropa në rendin e ri botëror”, ai shkruante “ka ardhur koha të kuptohet se Amerika dhe Evropa nuk ndajnë të njëjtat pikëpamje dhe nuk kanë të njëjtin këndvështrim mbi botën”.

Në fakt, libri është zgjerim i një artikulli të shkruar për Policy Review në vitin 2002, i cili u bë sensacion në mesin e elitave politike evropiane.

Javier Solana, ish-shef i politikës së jashtme të BE-së, ua dha këtë artikull strategëve dhe diplomatëve kryesorë në Bruksel, duke e përshkruar atë si një tekst të domosdoshëm për lexim.

Evropa, argumentonte Kagan, kërkon të gjejë strehë në parajsën kantiane, të një rendi kozmopolitan, liberal-demokratik të qeverisur nga traktate, organe këshilluese dhe nga ligji ndërkombëtar.

“Ajo po hedh hapa drejt një bote me ligje, rregulla, marrëveshje ndërshtetërore dhe bashkëpunime, po hyn në një parajsë paqeje post-historike dhe përparimi relativ, po realizon ‘mbretërinë e paqes’ të Emmanuel Kant’it”.

Në anën tjetër, SHBA-të si e vetmja superfuqi e aftë për të bërë luftë në pothuajse çdo mjedis dhe në shumë fronte njëkohësisht, sipas tij, operon në një botë hobbesiane e cila përbëhet nga shtete të padisiplinuara që nuk dëshirojnë t’i nënshtrohen ligjit ndërkombëtar dhe mekanizmave paqësorë.

“Amerikanët qëndrojnë të rrënjosur në të kaluarën, duke vazhduar të ushtrojnë forcë në një botë hobbesiane, tepër anarkike, ku ligjet dhe rregullat ndërkombëtare janë të paqëndrueshme dhe ku siguria e vërtetë, mbrojtja dhe promovimi i një rendi liberal, varen ende nga zotërimi dhe përdorimi i forcës”.

“Kjo shpjegon faktin pse për çështjet kryesore strategjike dhe ndërkombëtare amerikanët janë nga Marsi dhe evropianët nga Venusi”, vërente Kagan.

Ndryshe nga “kultura strategjike” amerikane për të përdorur forcën detyruese, evropianët preferojnë bindjen në vend të shtrëngimit, negocimin në vend të konfrontimit, ligjin ndërkombëtar në vend të forcës dhe multilateralizmin në vend të unilateralizmit.

“Në përgjithësi ata miratojnë zgjidhjet paqësore të problemeve, duke parapëlqyer kështu negociatat, diplomacinë dhe bindjen. Parapëlqejnë të ndërhyjnë duke iu drejtuar ligjeve, konventave ndërkombëtare dhe opinionit publik, për të gjykuar mbi situata të ndryshme”.

“Evropianët veprojnë me nuanca të ndryshme e në mënyrë të stërholluar në përballimin e problemeve. Kërkojnë të ndikojnë tek të tjerët në mënyrë të tërthortë; janë zemërgjerë ndaj dështimit e më të duruar kur zgjidhjet vonojnë të vijnë”, shtonte ai.

Kritika kryesore evropiane është se SHBA-të janë bërë shumë unilateraliste në sjelljen e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje evropianëve u pëlqen të thonë se amerikanët janë të fiksuar pas manisë për të zgjidhur problemet.

Kagan vlerësonte se qasja e furishme e amerikanëve për të zgjidhur problemet vinte nga fakti se ata janë shumë herë më të prirur për të vepruar se sa ata që nuk kanë kapacitete të tilla.

“Amerikanët kërkojnë ‘finalizim’ në marrëdhëniet ndërkombëtare; duan që problemet të zgjidhen sa hap e mbyllë sytë dhe të asgjësohet kërcënimi me një të rënë të shkopit magjik”.

“Ata nuk parapëlqejnë të veprojnë përmes institucioneve ndërkombëtare, si për shembull Kombet e Bashkuara, nuk u pëlqen bashkëpunimi me shtetet tjera për të arritur qëllime të përbashkëta, janë më skeptikë përsa i përket ligjeve ndërkombëtare dhe më të gatshëm për të vepruar jashtë strukturave të këtyre ligjeve, kur e shikojnë të arsyeshme ose thjesht të nevojshme”.

Ndërkaq, evropianët përdorin më shumë mekanizmat komercialë dhe ekonomikë për të ndërlidhur dy shtete.

“Ata i kushtojnë më tepër vëmendje procesit se sa rezultatit, me bindjen se procesi siguron rezultatin”.

Në këtë kuptim, SHBA-të kanë fuqinë dhe dëshirën për t’i shpërfillur pikëpamjet evropiane.

Analiza e Kagan 20 vjet më parë, u jetësua edhe në një deklaratë të kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, kur i bëri thirrje Uashington-it që t’u përgjigjet shqetësimeve evropiane.

“Amerikanët – miqtë tanë – marrin vendime që kanë një ndikim ekonomik tek ne”, tha ai në një intervistë për “Politico”.

Pika më e madhe e tensionit në javët e fundit kanë qenë subvencionet dhe taksat e gjelbra të Bidenit për të cilat Brukseli thotë se në mënyrë të padrejtë anojnë tregtinë nga BE-ja dhe kërcënojnë të shkatërrojnë industritë evropiane.

Pavarësisht kundërshtimeve formale nga Evropa, Uashington-i deri më tani nuk ka treguar asnjë shenjë tërheqjeje.

Josep Borell

Në të njëjtën kohë, përçarja e shkaktuar nga pushtimi i Putinit në Ukrainë po i fut ekonomitë evropiane në recesion, me inflacionin në rritje dhe një shtrëngim shkatërrues të furnizimeve me energji që kërcënon ndërprerjet dhe racionimin e këtij dimri.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se çmimet e larta të gazit në SHBA nuk ishin “miqësore” dhe ministri gjerman i ekonomisë i ka bërë thirrje Uashington-it të tregojë më shumë “solidaritet” dhe të ndihmojë në uljen e kostove të energjisë.

“Evropianët janë dukshëm të frustruar për mungesën e informacionit dhe konsultimit paraprak”, tha David Kleimann nga grupi i ekspertëve Bruegel.

Zyrtarët në të dy anët e Atlantikut njohin rreziqet që atmosfera gjithnjë e më toksike do të ketë për aleancën perëndimore.

Grindja është pikërisht ajo që Putini do të dëshironte – ranë dakord diplomatët e BE-së dhe SHBA-ve.

Një zyrtar amerikan theksoi se përcaktimi i çmimit për blerësit evropianë të gazit pasqyron vendimet e tregut privat dhe nuk është rezultat i ndonjë politike apo veprimi të qeverisë amerikane.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve energjetike, vetëm kur Uashington-i njoftoi një skemë subvencionimi industrial prej 369 miliardë dollarësh për të mbështetur industritë e gjelbra sipas Aktit të Reduktimit të Inflacionit, Brukseli kaloi në gjendje të plotë paniku.

“Akti i Reduktimit të Inflacionit ka ndryshuar gjithçka”, tha një diplomat i BE.

“A është Uashington-i ende aleati ynë apo jo?”

Për Biden, legjislacioni është një arritje historike klimatike.

Por BE-ja e sheh këtë ndryshe.

Një zyrtar nga ministria e punëve të jashtme të Francës tha se diagnoza është e qartë: këto janë “subvencione diskriminuese që do të shtrembërojnë konkurrencën”.

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, këtë javë madje akuzoi SHBA-të se po ndjek rrugën e Kinës të izolimit ekonomik, duke i kërkuar Brukselit të përsërisë një qasje të tillë.

Në prapaskenë, ka gjithashtu një acarim në rritje për paratë që derdhen në sektorin amerikan të mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore