Lajme

Nuk dorëzohet Gjukanoviç, i dorëzon Kuvendit propozim të modifikuar për shkurtimin e mandatit të Kuvendit


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, të shtunën e 24 shtatorit ia ka dorëzuar Kuvendit një propozim të modifikuar për shkurtim të mandatit të legjislativit, transmeton agjencia e lajmeve ‘Mina’.

Një ditë më parë, Danijela Gjuroviç, kryetare e Kuvendit, propozimin e presidentint malazez e kishte kthyer mbrapsht për rishikim, me sqarimin se kërkesa nuk ishte ligjërisht korrekte.

Kreu i shtetit kishte theksuar se më 15 dhe 16 shtator të këtij viti ka mbajtur konsultime për të zgjedhur një mandatar për përbërjen e qeverisë me përfaqësuesit e partive parlamentare, përkatësisht koalicioneve të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi.

Ai pohoi se përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF), Malit të Zi Demokratik (DEM), Partisë Popullore Socialiste (SNP) dhe Lëvizjes Qytetare URA, nuk iu përgjigjën thirrjes për takim.

“Nuk kam mundur ta pranoj propozimin për t’ia besuar mandatin për përbërjen e Qeverisë, Miodrag Lekiç-it, të cilin Andrija Mandiç, ma ka dërguar në emër të partive që kanë fituar shumicën e mandateve në zgjedhjet e vitit 2020, sepse unë besoj se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme”, deklaroi Gjukanoviç.

“Besoj se kjo është zgjidhja më e mirë në situatën e caktuar politike dhe se është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, sepse hap mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur, të cilat do të mundësojë zgjedhjen e një qeverie që do të veprojë me kapacitet të plotë”.

Kryetari i partisë malazeze ‘Aleanca Demokratike (Demos)’, Miodrag Lekiç, ishte zgjedhur mandatar për të formuar qeverinë e re të Malit të Zi.

Ndryshe, deputetët e shumicës së vjetër parlamentare kanë mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, të cilat ia kanë dorëzuar kryetares së Parlamentit.

Në nismën për shkarkim thuhet se Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën pasi siç pretendojnë ata, nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike në konsultimet për formimin e qeverisë, e as Miodrag Lekiç-in, i cili sipas marrëveshjes së shumicës parlamentare, mori mbështetjen e 41 deputetëve për të qenë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.

Sipas nenit 98 të Kushtetutës së Malit të Zi, një procedurë e tillë për të parë nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të iniciohet nga Kuvendi, me propozimin e së paku 25 deputetëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore