Bota

Norvegjia mbyll kufinjtë për të gjitha vendet


Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg

Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, deklaroi, të mërkurën, se do të mbyllte kufinjtë e vendit për të gjithë, përveç lëvizjeve për arsye shëndetësore. Kjo erdhi pas shpërthimit të një varianti të ri të coronavirusit, në Mbretërinë e Bashkuar (MB).

“Në praktikë, kufiri do të jetë i mbyllur për këdo që nuk jeton në Norvegji”.

Solberg, tha se virusi është përhapur në mënyrë të konsiderueshme në shumë vende që nuk monitorojnë shkallën e mutacioneve në të njëjtën mënyrë si Norvegjia, Danimarka dhe MB-ja.

Ndër masat e paraqitura më 23 janar, dyqanet jo thelbësore përreth Oslo-s janë mbyllur. Kjo është hera e parë, që Norvegjia, pas shfaqjes së coronavirusit, vendos këto kufizime.

Megjithatë, Norvegjia, deklaron Solberg, ka pasur rënie të të infektuarëve me coronavirus.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Norvegjia, ka një nga nivelet më të ulëta të infeksioneve të reja në Evropë për 100 mijë banorë.

Ndërsa Shoqata e Pronarëve të Anijeve Norvegjeze (NSA), vuri në dyshim planin e kryeministres, pasi anijet tregtare lejohen ende të udhëtojnë.

Shefi Ekzekutiv i NSA-së, Harald Solberg, tha se ky plan i Qeverisë do të jetë shumë sfidues.

“Ne kemi nevojë për vendime të shpejta, dhe përmirësime të kompensimeve për të gjithë ata që do të përballen tani me pasojat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore