Kosova

Njohja e pavarësisë nga Spanja, Sanchez: Njëherë marrëveshja me Serbinë  


Pedro Sanchez

Pedro Sancez, kryeministri i Spanjës i cili po qëndron në Slloveni për një vizitë zyrtare është pyetur për mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të Madridit zyrtar në raport me pavarësinë e Kosovës, ndërsa ajo po feston 15 vjetorin e shtetësisë së saj.

Por i njëjti ka refuzuar të deklarohet lidhur me këtë duke thënë se në këtë fazë gjëja më kryesore është mbështetja e dialogut Kosovë – Serbi dhe arritja e një marrëveshjeje eventuale mes dy shteteve.

“Gjëja më e rëndësishme në këtë kohë është mbështetja e dialogut në të cilin mund të arrihet një marrëveshje dhe jo të parashikohen skenarë”, ka deklaruar Sanchez, raporton mediumi Europa Press.

Spanja është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian e cila po refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Propozimi franko-gjerman, i cili së fundmi dinamizoi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i ofron njëharë konsolidimi të shtetësisë së saj, por nuk garanton ndryshim qëndrimesh të pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin atë.

Ndryshe të hënë e 27 shkurtit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë ftuar për një takim të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore