Shqipëria

Njëri nga bashkëpunëtorët e vrasjes së Sofias ankimon vendimin në Gjykatën e Apelit


Skënder Vathi i dyshuar si organizator i vrasjes së Behar Sofias, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit lirinë.

Vathi e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë, që e la në burg. Përpara Gjykatës dhe Prokurorisë ai nuk e ka pranuar asnjëherë se ka qenë bashkëpunëtor në vrasjen e Sofias.

Ndërsa Ernejt Shyti, Leonard Xhixha dhe Xhulio Visha nuk e kanë ankimuar vendimin që është dhënë për to.

Shyti është i vetmi që e ka pranuar aktin kriminal.

Zbardhja e vrasjes së Sofias

Operacioni i quajtur “Piramida”, ka arrestuar një grup vrasësish me pagesë, të cilët kishin planifikuar vrasjen dhe në bashkëpunim kanë kryer ekzekutimin e tij.

Bëhej fjalë për shtetasit Ernejt Shyti, 24 vjeç, i lindur dhe banues në Tiranë, Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, dhe Xhuljano Visha, 28 vjeç.

Policia lajmëroi se Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit, pas ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi.

Kapja e të riut është bërë e mundur në bashkëpunim me policinë e Malit të Zi.

E kaluara e vrasësve të Sofias

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Xhixha, kishte një të kaluar kriminale. Ai ishte dënuar më përpara për veprën penale “Vrasje në paramendim”, e ngelur në tentativë.

Ndërsa shtetasi Visha, kishte qenë i dënuar më parë me verpën penale “Vjedhja”.

Ai nuk ishte një emër i panjohur për policinë.

Kush ishte Behar Sofia?

Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit, pranë Piramidës Tiranë.

Sofia ishte me origjinë nga Berati, pronar i disa bizneseve në Tiranë, të cilat së fundi po kalonin në hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pasi bizneseve të tij në Tiranë iu ishte vënë disa herë lëndë eksplozive.

Ai është arrestuar në vitin 1998 në bashkëpunim me shtetasin turk Abdulselam Turgut, nën akuzën për trafik troge nga Turqia në Shqipëri.

Sofia konsiderohej si një nga krerët e grupit të organizatës kriminale në Shqipëri, për trafikim të lëndëve narkotike.

Behar Sofia ose Seferi kishte jetuar për një kohë të gjatë në Turqi.

Në atentatin e bërë më 25 shkurt ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Grupi Turgut

Turgut u prangos më 18 shkurt të vitit 2011. Një arrestim ky i finalizuar për llogari të shtetit gjerman.

Ai akuzohej nga autoritetet gjermane për trafikimin e një ton droge.

Turgut, i cili veç akuzave për trafik ndërkombëtar droge ka lidhje edhe me krimin e organizuar në Shqipëri.

Gjithashtu emri i turkut lakohet edhe për përfshirje në organizatë terroriste.

Ai akuzohet për planin e muajit mars në vitin 2018, për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).

Plan i cili u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit.

Emri i tij është i lakuar dhe në ngjarjen e gushtit të vitit 2009, ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.

Abdulselam Turgut është i shpallur në kërkim nga shtete si Rumania, Austria, Holanda dhe Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore