Vende

Një xhiro në ishullin grek pa makina


Mbështetja arkaike e Hidrës te gomarët për transport buron nga një dekret presidencial i viteve 1950 që synon të ruajë arkitekturën dhe karakterin e ishullit grek.

Në të përfshihet një rregull që automjetet me rrota – makina, motoçikleta dhe madje biçikleta – nuk mund të përdoren.

Meqë qyteti është ndërtuar mbi kodra të pjerrëta, gomarët janë e vetmja formë transporti që mund të ngjitet në shkallët e pjerrëta dhe rrugicat e ngushta deri në shtëpitë e shumë banorëve.

Aktualisht, komunat në mbarë botën po kërkojnë mënyra për të reduktuar varësinë nga makinat private, apo edhe për t’i ndaluar ato krejtësisht nga pjesë të caktuara të një qyteti.

Në pamje të parë, jeta në një ishull pa makina duket idilike.

Ndryshe nga ishuj të tjerë grekë ku e gjen veten pas mureve në rrugët pa trotuare, në Hidra mund të endesh në kopshte dhe sheshe të bukura.

Po ashtu ishulli është jashtëzakonisht i qetë. Asnjë nga frenat kërcitëse apo motorët zhurmues tipikë të qyteteve gjetkë nuk dëgjohet atje.

Teksa ecën në labirintin e rrugëve dhe rrugicave të ngushta për të parë një pamje nga porti, shpesh sheh grupe miqsh dhe fqinjësh që përshëndesnin njëri-tjetrin, duke biseduar dhe duke bërë thashetheme në mes të rrugës.

Edhe macet e panumërta endacake, një tipar i njohur i ishujve grekë, duken jashtëzakonisht të relaksuara, shpesh duke u shtrirë me dembelizëm në mes të rrugëve.

Hidra ka një histori të gjatë turizmi dhe gjithashtu ka tërhequr një grup bohem.

Kantautori kanadez Leonard Cohen bleu një shtëpi atje në vitet 1960 dhe shkroi “Bird on a Wire” gjatë një prej qëndrimeve të tij.

Dina Adamopoulou, e cila punon në arkivat historike të Hidrës, ka treguar se disa piktorë duke përfshirë Picasso, Chagall dhe artistë të panumërt kanë bërë gjithashtu vizita.

Fakti që Hidra është pa makina e bën atë një vend të mrekullueshëm për t’u vizituar. Por si është për vetë njerëzit që jetojnë në atë ishull?

“Ne përballemi me zjarret rregullisht. Çdo verë, aeroplanët e zjarrit duhet të vijnë dhe të hedhin ujë mbi zjarret”, ka treguar Kelsey Edwards, një angleze që jeton atje për më shumë se 20 vjet dhe drejton HydraDirect, një faqe interneti lokale informacioni dhe pronash.

Edwards ka treguar se meqenëse pjesa më e madhe e ishullit është e paarritshme për shkak të mungesës së rrugëve, grupet lokale vullnetare të zjarrfikësve nuk janë në gjendje të shuajnë vetë flakët.

Edhe kur flakët shpërthejnë pranë vetë qytetit të Hidrës, që është e vetmja qendër e rëndësishme e popullsisë, “të gjithë duhet të vrapojnë dhe të marrin ujë për të shuar zjarrin”.

Por zjarret nuk janë rasti i vetëm ku mungesa e automjeteve është një pengesë.

Kur njerëzit kanë urgjenca shëndetësore, arritja në qendrën e vogël mjekësore të qytetit mund të jetë shumë e vështirë, veçanërisht për ata që jetojnë më lart në anët e pjerrëta të kodrave.

Shpesh, ata duhet të zbresin me barelë ose mbi një gomar për t’u parë nga mjekët.

Përveç emergjencave, ka shumë shqetësime të përditshme që vijnë me të jetuarit në një vend ku automjetet nuk lejohen.

Edwards ka ravijëzuar se marrja e mbeturinave shtëpiake në ato pak pika grumbullimi që mund të arrijë kamioni i plehrave të qytetit është një problem më vete.

Dorëzimi i gjërave është gjithashtu një problem dhe kostot e transportit të materialeve të ndërtimit janë të tepruara. Ndërkohë, njerëzit që jetojnë më lart në qytet shpesh përfundojnë të izoluar.

Fakti që nuk ka makina është, në shumë mënyra, një shtytës i madh i ekonomisë së ishullit.

Hidra është vetëm rreth 90 minuta me varkë nga shtrirja e ngjeshur metropolitane e Athinës, por duket një botë larg. Turistët shkojnë atje pikërisht se është paqësore. Gjithashtu është shumë më e pasur se ishujt e tjerë në arkipelagun Saronik të cilit i përket.

Kjo, të paktën pjesërisht, nxitet nga fakti se të huajve u pëlqen sa e qetë është.

Duke mos lejuar asnjëherë automjete me motor, Hidra ka shmangur shumë nga sfidat me të cilat përballen ishujt e tjerë të vegjël në vend.

Të imitosh Hidrën dhe të shkosh pa automjete, mund të mos jetë një opsion realist për ishujt e tjerë të një madhësie të ngjashme.

Megjithatë, disa ishuj po përdoren si test për të gjetur mënyra për të reduktuar varësinë nga automjetet personale.

Disa ishuj gjithashtu kanë hyrë në partneritet me kompani transporti për të ofruar transport të përbashkët të makinave elektrike dhe autobusëve.

Mirëpo, shumë ishujve thjesht u mungojnë fondet për të zbatuar plane të guximshme transporti.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore