Lajme

Një vrasje, në pamje vetëm filozofike


Më 22 qershor 1936, ndërsa ngjiste shkallët e Universitetit të Vjenës, filozofit Moritz Schlick, iu afrua një farë Johann Nelböck, një ish-student i tij, i cili kontestonte tezat e mbështetura nga Schlick në një ese.

Kur Schlick filloi të kundërshtonte, protestuesi nxori një armë dhe e goditi atë fatalisht.

Studenti u gjykua menjëherë, por klima e përhapur antisemitike e shndërroi atë në një hero arian, që kishte vepruar kundër filozofisë së pashpirt të Klubit të Vjenës.

Klubi i Vjenës ishte një grup filozofësh dhe shkencëtarësh të tërhequr nga shkencat natyrore dhe shoqërore, logjika dhe matematika, të cilët takoheshin rregullisht çdo javë, nga 1924 deri në 1936, në Universitetin e Vjenës.

Schlick do ta kryesonte. Vrasja e tij do të shënonte arratisjen e anëtarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve, dhe fundin e Klubit.

Nelböck ndërkohë, argumentoi në gjyq se ish-mësuesi i tij kishte promovuar një filozofi hebre të dyshimtë.

Vrasësi u lirua nga burgu në 1938 dhe pas Anschluss-it (bashkimi politik mes Gjermanisë dhe Austrisë, i arritur nga aneksimi që bëri Adolf Hitler në 1938), ai u bë anëtar i Partisë Kombëtare Socialiste Austriake.

Moritz Schlick
Moritz Schlick

Në 1922, Schlick ishte emëruar profesor i filozofisë së shkencave induktive në Universitetin e Vjenës.

Në ato vite dy ngjarje do t’i ndryshonin jetën: në 1921 botimi i Tractatus logico-philosophicus i Ludwig Wittgenstein dhe më 1924 krijimi i Klubit të Vjenës.

Grupi i filozofëve dhe shkencëtarëve që u mblodhën rreth Schlick-ut në këtë Klub, e bënë diskutimin rreth tekstit të Wittgenstein-it, temën kryesore të takimeve të tyre.

Megjithëse teoritë e Wittgenstein-it diskutoheshin nga Klubi, filozofi austriak nuk mori pjesë kurrë në aktivitetet e grupit.

Në vitet tridhjetë, Schlick përcaktoi konceptimin e tij të gjuhës dhe dha formulimin zyrtar të parimit të verifikimit, ose verifikueshmërisë, sipas të cilit një propozim ka kuptim nëse, dhe vetëm nëse, është i verifikueshëm.

Kështu ai themeloi neo-empirizmin, i cili dallohej nga ai tradicional, sepse propozonte të analizonte shprehjen, kundrejt aftësive njerëzore.

Schlick njohu te Sokrati babanë e filozofisë, sepse ai kërkonte kuptimin e fjalive themelore për sjelljen morale të njeriut, një kuptim i cili atëherë si sot i dukej i pasigurtë dhe problematik Schlick-ut.

Një pasiguri që duhet t’i jetë dukur i dyshimtë dhe i paqartë botës së nazizmit.

Por mbase, analiza e filozofisë së Klubit të Vjenës ishte diçka tepër e sofistikuar për mendjet e atij regjimi, që po përgatiste një nga tragjeditë më të mëdha të përjetuara nga njerëzimi.

Dhe ishte në mënyrë më banale vetëm origjina hebraike e profesorit gjerman që ngjalli armiqësi ndaj tij dhe, në fund të fundit, edhe vdekjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore