Lajme

Një votim që shuan ëndrrën e protestuesve të Pranverës Arabe


Me sytë e mbyllur, Wael dhe Jewaher, vrapuan drejt njëri-tjetrit.

Ai sapo ishte liruar nga qelia, kurse ajo kishte kaluar 20 orët e fundit jashtë, duke kënduar këngë proteste në pritje të lirimit të tij.

Teksa qëndronin të përqafuar, dikush nga turma i dha atij një bluzë të re për të zëvendësuar atë të grisurën që kishte veshur që nga arrestimi i tij në një protestë kundër referendumit një natë më parë.

Tunizia njihet për demonstratat.

Në vitin 2011, Pranvera Arabe lindi pikërisht aty, përpara se të përhapej në Lindjen e Mesme.

I riu i papunë Mohamed Bouazizi shiste perime në rrugë për të siguruar bukën e gojës.

Kur policia i tha se duhej të ndalonte, ai i vuri flakën vetes. Ishte një imazh dëshpërimi që rezonoi aq thellë sa turma njerëzish filluan të mblidheshin.

Edhe ata vuanin nga vështirësitë ekonomike, korrupsioni politik dhe sundimtari i tyre autokratik.

Pas 23 vjetësh në pushtet, Presidenti Zine El Abidin Ben Ali u detyrua të largohej dhe një kapitull i ri filloi për tunizianët.

Por tani, liritë e vendit po lëvizin në drejtim të kundërt.

Një vit më parë, në korrik 2021, presidenti i Tunizisë Kais Saied bëri ndryshime gjithëpërfshirëse. Ai shkarkoi kryeministrin, shpërndau qeverinë dhe pezulloi parlamentin.

Këtë të hënë tunizianët do të votojnë për një kushtetutë të re që i jep atij edhe më shumë kontroll mbi vendin.

Kjo është arsyeja pse Wael dhe Jewaher po demonstrojnë edhe një herë.

“Ishim në një sistem parlamentar. Tani jemi në një presidencë, një sistem që Kais Saied do ta mbajë të gjithë pushtetin në duart e tij”, ka thënë Wael.

Dyshja protestuan së bashku në marshimet e Pranverës Arabe në vitin 2011, si një çift i ri, ende i pamartuar. Tani kanë një djalë, Yasar.

“Kemi 11 vite që protestojmë për të njëjtat kërkesa”, ka treguar Jewaher.

“Kjo është zhgënjyese. Është një model që duhet ta përsërisim. Këtu çdo vit duhet të protestojmë për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat tona”, ka vijuar.

Dhe se më zhgënjyes është fakti që “regjimi mbahet në pushtet me forcën e policisë, me forcën e diktaturës, me forcën e dhunës… asgjë nuk ka ndryshuar”.

Por vetëm protestat nuk e tregojnë tablonë e plotë.

Në rrugicat e ngushta të tregut të zhurmshëm të Medinës, mes grumbujve të sandaleve prej lëkure dhe qilimave shumëngjyrëshe që varen sipër, njerëzit kanë ide të forta për atë që është më e mira për të ardhmen e tyre.

Edhe një herë ata janë të varfër dhe në vështirësi. Por ata e shohin Kais Saied si një shpëtimtar, jo si një diktator.

Edhe pse kushtetuta e re është kritikuar ndërkombëtarisht se nuk mbron të drejtat e njerëzve, ata ende e votojnë atë.

Mohsen po shëtiste të birin mes shatërvanëve në shesh. Ai është, si shumë të tjerë, një mbështetës i madh i presidentit.

“Kais Saied është njeri i drejtpërdrejtë, e do Tunizinë. Kushtetuta më pëlqen shumë, do të përmirësojë situatën në vend. Do të jem i pari që do ta votoj”, ka thënë ai.

Po ashtu do të veprojë edhe Ali. Duke qëndruar midis rafteve të rrobave të grave në dyqanin e tij, është i bindur se “Presidenti do t’i përmirësojë kushtet”.

“Kam shumë shpresa te Kais Saied”, ka shtuar.

Edhe Saida, e rrethuar me këpucë në tezgën e saj në treg, nuk ka asnjë dyshim.

“Ai është një person i mirë. Kam besim. Ai nuk bën gjëra të këqija. Ai nuk vjedh. Shpresoj që të gjithë njerëzit të jenë si ai. Ai po punon për të përmirësuar situatën, ai po pastron shtetin”, ka thënë ajo.

Sakaq, ka shtuar se do të shkojë të votojë për “po” në referendum që vendi të ecë përpara. “Kjo është për të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka theksuar ajo.

Për disa të tjerë, rrëmbimi i pushtetit nga Kais Saied ka ndryshuar jetën.

Dy muaj më parë, Presidenti i dha vetes mundësinë për të shkarkuar gjyqtarët sipas dëshirës dhe shkarkoi menjëherë 57 prej tyre.

Mohamed al Kenzari dhe dy kolegë të tij janë mes tyre.

Tani ata janë në grevë urie për të protestuar për mënyrën se si janë trajtuar. Ata qëndrojnë në një dhomë të errët të mbushur me postera që promovojnë kauzën e tyre.

Mohamed nuk ka ngrënë për 33 ditë dhe tani është aq i dobët sa nuk mund të ngrihet në këmbë. Ai shtrihet në një dyshek në dysheme, i mbuluar nga një çarçaf i hollë.

“Jam i rraskapitur. Ti përpiqesh të rezistosh sa të mundesh, por askush nuk do t’ia di. Ti kërkon të drejtat e tua, por askush nuk do t’ia di”, ka thënë ai.

Me sytë e rrëmbushur, ai nuk do ta përfundojë grevën e tij derisa të anulohet dekreti që çoi në shkarkimin e gjyqtarëve.

Më shumë se 80 për qind e tunizianëve janë regjistruar për të votuar në referendumin e së hënës më 25 korrik.

Në shumë mënyra, kjo është një fletë votimi për demokracinë, të drejtat dhe liritë, dhe nëse ata do të vazhdojnë të kenë oksigjen.

Për njerëzit që demonstruan një dekadë më parë, duke i dhënë jetë një lëvizjeje që mbuloi një rajon, kjo sinjalizon vdekjen e një ëndrre.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore