Lajme

Një vit apo ndoshta dy, sa zgjat mbrojtja e vaksinave COVID?


Ju mund të jeni një prej 170 milionë njerëzve që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës koronavirus, ose mund të jeni akoma duke pritur radhën tuaj.

Pavarësisht kësaj, në mendjen tuaj mund të ketë lindur pyetja: Për sa kohë do të na mbrojnë vaksinat kundër COVID-19?

Vaksinat janë shumë efektive në parandalimin e sëmundjeve në të gjithë botën. Sipas hulumtimeve, ato duhet ta ruajnë efektivitetin e tyre me kalimin e kohës.

E paqartë mbetet ende sesa kohë vaksinat krijojnë imunitet? Nëse vaksinat do të duhet të përmirësohen për të luftuar variantet e shfaqura të virusit apo mund të jenë të nevojshme doza përforcuese më vonë.

Kur fillon imuniteti?

Pas marrjes së një vaksine, duhen javë që trupi juaj të krijojë antitrupa kundër sëmundjes që ju bëjnë të imunizuar, thotë Dr. Peter Gulick, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Mbrojtja e plotë ndodh dy javë pas dozës së dytë të vaksinave Pfizer-BioNTech ose Moderna dhe dy javë pas vaksinës së bërë Johnson & Johnson.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportuan javën e kaluar se, në një studim mbi 4 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor, një dozë e vetme e vaksinave Pfizer dhe Moderna ishin 80 për qind efektive në parandalimin e infeksionit dhe një dozë e dytë 90 për qind efektive.

Gjatë një konference të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, Dr. Anthony Fauci vuri në dukje se, duke u mbështetur vetëm në inokulimin e parë, vaksina siguron mbrojtje “të dobët”.

Sa zgjat mbrojtja?

Pozicioni zyrtar i CDC-së është “Ne nuk e dimë”, ndërsa për Intelligencer Gulick tha, “Ne sapo kemi filluar të kuptojmë se sa mund të zgjasë ai imunitet”.

Një pjesë e përgjigjes erdhi javën e kaluar nga Pfizer, e cila njoftoi se, antitrupat e shkaktuar nga vaksina dhe imuniteti i fortë, vazhdon për të paktën gjashtë muaj midis individëve të vaksinuar, madje edhe kundrejt varianteve më ngjitës.

Sipas studimit të ri, mbrojtja që jep vaksina Moderna zgjat për të paktën gjashtë muaj. Kjo nuk do të thotë se imuniteti nga këto inokulime ndalet në gjashtë muaj, kjo është koha që janë ndjekur vullnetarët në provat klinike të vaksinave.

Në vijim, Gulick thekson se disa ekspertë, “do të thoshin se mund të zgjasë edhe më gjatë, por ende nuk kemi një përgjigje të plotë”.

“Vaksinat Moderna dhe Pfizer janë një imitim i mirë i infeksionit natyror”, tha biologu dhe ish-profesori i Harvardit, William Haseltine, për The Atlantic. “Por është me të vërtetë e rëndësishme të theksohet fakti se këto vaksina ka të ngjarë të jenë mbrojtje e përkohshme. Një vit, apo ndoshta dy”.

Disa faktorë mund të ndikojnë në përcaktimin e mbrojtjes që sigurojnë vaksinat dhe për sa kohë, tha për Washington Post Chunhuei Chi, drejtori i Qendrës për Shëndetin Global në Universitetin Shtetëror të Oregonit.

“Për shembull, njerëzit, të cilët kanë një përgjigje më të fortë imune ndaj një vaksine, do të prodhojnë më shumë antitrupa dhe qeliza kujtese. Për këtë arsye kanë imunitet më të fortë”, tha ai. Por, ai shton se aktualisht nuk ka prova që tregojnë se një përgjigje më e fortë imune do të rrisë kohëzgjatjen e imunitetit.

Një faktor tjetër është shfaqja e varianteve të reja, më infektive që mund të dëmtojnë efikasitetin e vaksinës. “Pacientët e mi HIV pozitiv gjithmonë i paralajmëroj, ju keni bërë vaksinën, do të fitoni imunitet, por përsëri duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të vini maskën”, theksoi Gulick.

A do të na nevojiten dozat përforcuese?

Ekspertët besojnë se pandemia e koronavirusit ka të ngjarë të bëhet endemike, që do të thotë se virusi do të ngjitet në popullata, duke kërkuar potencialisht doza përforcuese për të forcuar imunitetin.

“Ne duhet të planifikojmë se kjo ide mund të na duhet për të ruajtur kontrollin kronik”, tha Fauci në nëntor të vitit të kaluar. “Mund të jetë diçka që do bëhet endemike, për të cilën duhet të kemi vetëm kujdes”.

Një krahasim i mirë për atë se si do të duket Covid-19 në të ardhmen është gripi, një sëmundje që herë pas here prodhon variante shqetësuese që shkaktojnë shpërthime infektimesh.

Miliona njerëz marrin rregullisht një dozë gripale çdo vit dhe ato vaksinime formulohen për të luftuar mutacionet e fundit të virusit të gripit.

Aktualisht, Pfizer dhe Moderna po studiojnë nëse një dozë përforcuese mund të jetë e dobishme në ruajtjen ndaj COVID-19 pas vaksinimit fillestar, veçanërisht kur bëhet fjalë për variante si ato të zbuluara së pari në Mbretërinë e Bashkuar (B.117), Afrikën e Jugut (B .1.351), dhe Brazil (P.1).

“Fleksibiliteti i platformës sonë të vaksinave mRNA na lejon të zhvillojmë teknikisht vaksina përforcuese brenda javësh, nëse është e nevojshme”, tha Ugur Sahin, CEO dhe bashkëthemelues i BioNTech, partneri i Pfizer në zhvillimin e vaksinave, në një njoftim për shtyp. Johnson & Johnson po teston gjithashtu përforcuesin e vet.

Gulick beson se do të ketë nevojë për të zhvilluar një test, në mënyrë që të maten antitrupat e njerëzve. “Në teori, ne mund të monitoronim dhe të përcaktonim se kur bien nivelet e antitrupave. Ekspertët janë duke punuar në këtë drejtim, por sipas tij, gjithçka në këtë moment është spekulative”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore