Art&dizajn

Një qytet i padukshëm i quajtuar Evropë – Renzo Piano


Qyteti, vend i paqes dhe i jetës shoqërore.
Evropa si një qytet. Jo si bashkësi i kryeqyteteve të saj, por një qytet i madh i vetëm.

nga Renzo Piano tek e përditëshmja italiane “La Repubblica”, përkthyer nga Albanian Post

Një qytet i padukshëm i quajtur Evropë

Historia e luftëtarit longobard Droctulft është shumë e bukur.

Ai u nis nga pyjet dhe moçalet e veriut për të pushtuar botën dhe mbërriti në Ravenna. Atje ndodhi diçka e jashtëzakonshme, u mahnit nga bukuria e saj, për të e panjohur, dhe përfundoi duke e mbrojtur qytetin armik, të cilin ishte nisur ta pushtonte.

Fundja nuk ekziston në natyrë një ide e qytetit. Është një shpikje e madhe e njeriut që shkrepet nga nevoja për të qendruar bashkë. Dhe ai nuk e kishte parë kurrë një të tillë.

Borges tregon që papritmas Droctulft pa rrugë, tempuj, kopshte, harqe, trarë dyersh dhe dritare. Mbase i kishte parë disa nga këto gjëra, por kurrë të tëra njëherësh. Aq shumë, aq të ndryshme, dhe aq me rend. Dhe mbeti i shushatur nga ajo zbulesë, Qyteti.

U pushtua nga diçka që nuk e kuptonte, të cilën nuk mund ta kuptonte, por që i zbulohej para syve me fuqinë e të bukurës.

Ka diçka në idenë e qytetit, në vetë thelbin e tij, që e bën të domosdoshëm. Qyteti është “polis” dhe nuk mund të fshihet: është një shpikje tepër e lashtë dhe e rëndësishme dhe i ka mbijetuar çfarëdo kërcënimi, terrorizmit dhe dhunës, ndotjes dhe flamës. Ai ka fituar gjithmonë. Dhe kjo bukuri e tij akoma dhe një herë do ta shpëtojë.

Por qyteti për të cilin po mendoj është Evropa. Jo duke e marrë atë si një bashkësi të qyteteve evropiane, por atë vetë, Evropën, si një Qytet i madh i vetëm, i paskajshëm dhe i shtrirë, një vazhdimësi fushash, fshatrash, lumenjsh, pyjesh, urash, detesh dhe liqenesh, një botë e ndërtuar, e shndërruar nga njeriu, e jetuar dhe qytetase. Nga Mesdheu deri në Detin e Veriut, nga Lindja që kufizon me Lindjen e Mesme deri në brigjet e Oqeanit Atlantik.

Është e vështirë, në këtë tokë, të gjesh një vend të vetëm ku largësia mes qendrave urbane, qytezave, fshatrave dhe katundeve të jetë më shumë se një orë rrugë. Është qytet i hapur, qyteti tokë. Del jashtë kufijve të vet dhe ngjiz fshatin, nga ku, pastaj, ngjizet vetë. Është shkëmbim dëshirash, mallrash, fjalësh, kulturash dhe kujtimesh. Ky i imi është një qytet i shtrirë ku gjithçka, në një mënyrë osë në një tjetër, është pjellor. Unë jam qytetar evropian, për natyrën time dhe përvojën që kam përjetuar. Dhe Evropa është përbërësi im i natyrshëm.

Dhe e vetmja gjë që mungon në këtë qytet të madh, që është Evropa, është shkretëtira. Fundja antiteza e qytetit nuk është fshati që është pjellor, i mbjellur e i zbutur nga dora e njeriut, por shkretëtira, aty lindin përbindësha. Shkretëtira si vend fizik dhe si vetmi ekzistenciale. E vërtetë, shpesh, edhe qytetet kanë përbindëshat e tyre, por mund të zbulohen, kuptohen dhe përballohen. Në Shkrimet e Shenjta qyteti, i shndritshëm, i çlirë dhe mikpritës, është vendi ku veprohet ëndrra mijëvjeçare e njerëzimit, e cila është paqja. Qyteti i përsosur i besimtarëve i përshkruar në Zbulesën, ka dymbëdhjetë dyer dhe është i gjatë dhe i gjerë më shumë se dymbëdhjetë stadiume, pra më shumë se 2000 kilometra, pikërisht si Evropa. 

Një qytet i vetëm i lidhur nga ide dhe nga një rrjet trasportesh publike mbi shina me shpejtësi të lartë, të mesme, të ulët, deri në shpejtësinë metropolitane dhe urbane, i gjithi i ushqyer nga rryma elektrike. Këto do të jenë rrugët e tij, dhe do të nevojitet të ndërtohen edhe ura. Më vjen ndërmend një fshat që pajiset dhe bëhet pak më shumë qytet dhe një qytet më të gjelbërt që bëhet pak më shumë fshat. Dhe pastaj më vjen ndërmend një periferi që të mos jetë më ajo zona gri ku qyteti humbet vlerat e saj dhe fshati nuk është akoma fshat. Kam kaluar një jetë të tërë duke ndërtuar vende publike: shkolla, biblioteka, muzeume, teatro dhe s’di çfarë tjetër akoma. Dhe pastaj rrugë, sheshe, dhe ura. Vende ku njerëzit ndajnë së bashku të njëjtat vlera, të njëjtat ndjenja, mësohet mirëkuptimi. Vende ku përzihemi njëri me tjetrin, ku dallimet zhduken dhe ndryshimet bëhen një vlerë e shtuar. Vende ku qytetërime që kremtojnë ritin e takimit, ku qyteti nënkuptohet si qytetërim. Vende për një botë më të mirë, të cilat mund të ndezin një dritë në sytë e atyre që i përshkojnë.

Këto vende sot janë të gjitha të mbyllura për shkak të Covid-it, dhe kjo më bën të vuaj. Largësia fizike dhe mendore, ndaj të cilës na detyron virusi, është çnjerëzore. Sepse të jetosh larg njeri-tjetrit do të thotë të jetosh më pak. Kemi nevojë për të qenit shumës, bashkësi, që është themeli i të jetuarit qytetar. A duhet për këtë të dorëzohemi? Jo, dhe përgjigjia nuk mund të jetë të hequrit dorë nga qyteti. Edhe kur projektova kullën e New York Times në Manhattan, qiellgërvishtësi i parë pas tragjedisë së 11 shtatorit, pyesja veten. Kërkoja përgjigje. Të heqim dorë nga modeli jonë i qytetit, të kyçemi nëntokë? Të kthehemi nëpër shpella? Apo të mbrojmë qytetërimin e qytetit së cilit është pasqyrim? Nuk mund të hiqet dorë, dhe kështu u zgjodh tejdukshmëria dhe hapja. Besoj se përgjigjia ndaj pandemisë duhet të ketë të njëjtin guxim, që përgjigjia të jetë një mënyrë e re e të banuarit të hapësirave publike, në qytet të çelur dhe të hapur. Ky virus është  djallëzor sepse na pengon takimin me njerëzit. Krijueshmëria ndahet me të tjerë.

Është pak si të luash ping pong, nevojiten të tjerët. Dhe pothuajse gjithmonë  frymëzimi buron nga realiteti: mënyra më e mirë për të pasur ide është të shikosh realitetin përreth, t’i japësh frymëmarrje. Për një si unë, që jeton me mendjen për të krijuar hapësira aty ku kremtohet riti i të ndenjurit bashkë, i përzierjes së përvojave vetjake, ky boshllek shkakton një trishtim të thellë. Përgjigjia nuk mund të jetë teknike, duhet të jetë patjetër politike, shoqërore, shkencore, me një fjalë të vetme humanistike, me në qendër njeriun. Në fakt gjendet gjithashtu, në Qytetin tim, në këtë qytetin tim të hapur dhe të shtrirë, një bukuri tjetër më e thellë që është ajo bukuri njerëzore e përbërë nga energji, solidarietet, pasione dhe dëshira. 

Ajo që përbëhet nga të rinj mbushur plot me shpresa dhe dëshirë për një të ardhme më të mirë, po të njëjtët të rinj që, me një rrugëtim të gjatë përpara, kanë detyrën të shpëtojnë Tokën dhe të cilëve i besohemi për të parë gjërat e botës që do të bëhet. Një bukuri që nuk kuptohet në mënyrë mendjelehtë dhe sipërfaqësore, por ajo ku e padukshmja arrin botën e dukshme. Kjo lloj bukurie mendoj se mund të jetë vaksina ndaj shëmtirës, edhe ajo ndaj virusit. Grekët kanë shpikur një fjalë, kalokagathòs, që bashkon idealin e bukurisë me vlerën morale. Kështu siç ndodh në të gjitha kulturat evropiane. Ne italianët themi një person i bukur, duke menduar për esencën e tij dhe jo për pamjen. Flitet për një veprim të bukur për të thënë që është i bukur, bujar dhe i guximshëm.

Thuhet për shembull, “bell’idea” ide e bukur, “bel gesto” lëvizje e bukur. Anglezët, për të dëftuar një person të zgjuar, përdorin shprehjen “a beautiful mind”. Në spanjisht thuhet “belleza”, në gjermanisht “Schönheit”. Në asnjërën nga këta gjuhë “e bukur” nuk do të thotë vetëm “i bukur”, do të thotë edhe i mirë. Edhe në rusisht fjala “krasotà” përcakton diçka që nuk shikohet, siç tha princi Myskin i Dostoevskij-it: bukuria do të shpëtojë botën. Ajo është synimi i qenieve të gjalla sepse është në gjendje t’i shndërrojë përsonat në përsona më të mirë, qytetet në qytete më të mira dhe përfundimisht qytetarët në qytetarë më të mirë. Mbase jo të gjithë njëherësh, por kjo bukuri do t’a shpëtojë me të vërtetë botën, njëri pas tjetrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore