Lajme

Një këngëtare spanjolle është e para që pretendon ngacmim seksual nga Plácido Domingo


Një ish-kolege e Plácido Domingo-s është bërë gruaja e parë spanjolle që pretendon për sulm seksual nga tenori.

Ajo ka pretenduar se sjellja e tij ishte aq e njohur në botën e operës sa gjëja e parë që u thuhej grave ishte: “Mos hipni në ashensor me Domingo-n”.

Akuzat për ngacmime seksuale kundër tenorit janë raportuar për herë të parë thuajse katër vjet më parë dhe të paktën 20 gra e kanë akuzuar deri më tani për puthje ose përkëdhelje me forcë në incidente që datojnë që nga vitet 1980.

Të dielën, një këngëtare spanjolle e paidentifikuar ka treguar se ajo ishte ngacmuar dhe sulmuar nga Domingo kur ata punonin së bashku dy dekada më parë.

Ajo ka identifikuar dy incidente të veçanta. Në rastin e parë, Domingo kishte vënë re se kishte veshur pantallona me qëndisje në xhepat e pasmë.

“Ai më bëri një pyetje shumë të çuditshme para të gjithëve, më pyeti: A mund ta fus dorën në atë xhepin tënd të bukur?”, ka treguar gruaja.

“Situata tepër e pakëndshme” e kishte lënë atë të ndjehej shumë keq.

Kurse incidenti i dytë i supozuar ka ndodhur kur ata po performonin së bashku dhe dritat ishin fikur për të shënuar fundin e aktit.

“Në ato sekonda kur sytë e tu po mësohen me errësirën, Plácido u afrua pranë meje, më puthi në buzë dhe ishte një puthje që as që e pashë të vinte dhe kështu nuk mund t’i shmangesha rrugës. Nuk doja të puthesha. Akti kishte përfunduar, muzika kishte pushuar dhe perdja po zbriste. Nuk kishte asnjë justifikim”.

Ajo kishte pasur shumë frikë të fliste për shkak të pasojave të mundshme për karrierën e saj, por ishte nxitur tanimë nga guximi i grave të para që treguan historitë e tyre.

Kur u shfaqën akuzat për herë të parë, Domingo, tani 81 vjeç, ka thënë se i vinte keq kur dëgjoi se mund t’i kishte mërzitur ose i kishte bërë ato të ndiheshin keq “pa marrë parasysh sa kohë më parë dhe pavarësisht qëllimeve të mira”.

Ai mori “përgjegjësinë e plotë” për veprimet e tij, duke shtuar se besonte që “të gjitha ndërveprimet dhe marrëdhëniet ishin gjithmonë të mirëpritura dhe konsensuale”.

“Njerëzit që më njohin ose që kanë punuar me mua e dinë se unë nuk jam dikush që me dashje dëmtoj, ofendoj ose turpëroj dikë”, ka thënë ai asokohe.

Por që atëherë, ai e ka ndryshuar pozicionin e tij duke pretenduar se falja e tij mund të ketë dhënë një “përshtypje të rreme” për atë që kishte ndodhur.

“Unë kurrë nuk jam sjellë në mënyrë agresive me askënd dhe nuk kam bërë kurrë asgjë për të penguar karrierën e dikujt”, ka vijuar ai.

Në vitin 2020, një hetim i porositur nga Opera e Los Angeles-it mbi akuzat për ngacmime seksuale kundër Domingo-s zbuloi se tenori ishte përfshirë në “sjellje të papërshtatshme” me shumë gra gjatë tre dekadave për të cilat ai mbajti poste të larta.

Raporti nuk detajoi asnjë nga pretendimet, por nxori se “niveli i shqetësimit të raportuar nga gratë ndryshonte, duke filluar nga disa gra që deklaruan se nuk ndjenin rehati deri te të tjerat që përshkruan trauma”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore