Sport

Një Ibrahimoviç e ka futbolli


Zlatan Ibrahimovic po del të jetë figura kryesore e Milan-it në fitimin e titullit kampion për herë të 19-të në historinë e tyre.

Sulmuesi me pasaportë suedeze u rikthye të kuqezinjtë në janar të vitit 2020, tetë vite pasi që ishte larguar nga aty.

Ai u transferua në Paris pikërisht një vit pasi Milan-i fitoi për herë të fundit titullin kampion në Serie A.

https://www.youtube.com/watch?v=y4gCHiMq03k

Atë kohë, Ibra kishte thënë se nuk e dëshironte largimin nga kuqezinjtë, madje shtoi se i ka mbetur hatri në drejtuesit e klubit që lejuan largimin e tij.

“Adriano Galliani nuk mbajti fjalën, doja të qëndroja në Milan për më shumë kohë”, ka thënë Ibrahimovic.

Megjithatë, në PSG sulmuesi shtatlartë ishte një nga figurat kryesore të tyre. Ai shënoi plotë 156 gola në 180 ndeshje me skuadrën franceze.

Pas aventurës në Paris, futbollisti boshnjak kaloi dy vite në Manchester United, e më pas edhe dy sezone tjera i kaloi në kampionatin amerikan, LA Galaxy.

Pasi përfundoi kontratën me klubin amerikan, Ibrahimovic u rikthye përsëri në Milan në moshën 39 vjeçare.

Ai firmosi kontratë për një vit e gjysmë me kuqezinjtë dhe rikthimi i Ibra-s në ngjyrat kuqezi, rezultoi të jetë edhe një rikthim në triumfin e Milan-it në kampionatin italian.

Pavarësisht se shumë ndeshje të këtij sezoni, Ibra ishte i lënduar dhe nuk mundi ta ndihmonte Milan-in në fushë, ai qëndronte përkrah lojtarëve dhe gjithmonë duke i përkrahur ata në forma të ndryshme.

Në dy ndeshjet e para të kuqezinjve, Ibra mungoi, i cili më pas u rikthye në ndeshjen e tretë në kampionat kundër Lazio-s.

Ai u inkuadrua në pjesën e dytë në lojë dhe pas shtatë minutave gjeti golin e parë të sezonit në Serie A, ndeshje të cilën Milan-i e fitoi me rezultat 2:0.

Mirëpo, fat i keq i tij, bëri që Ibra përsëri të dëmtohet, ku më pas mungoi në pesë ndeshjet e radhës të Milan-it, në mesin e tyre dy ndeshje në Ligën e Kampionëve, ku kuqezinjtë u rikthyen pas shtatë vjet.

40 vjeçari më pas u rikuperua, për t’u rikthyer në fushë në ndeshjen kundër Veronës, ku luajti pak minuta, më pas me Porto-n në Champions ndihmoi ekipin për 30 minuta, para se të startonte ndeshjen ndaj Bologna-s, ku suedezi shënoi gol dhe asistoi për një tjetër.

Pas kësaj ndeshje, Ibra ‘u forcua’, ku la pas shpinës dëmtimet, të paktën për 17 ndeshjet e radhës.

Romës, Udinese-s, Genoa-s dhe Venecias iu shënoi nga një gol, derisa spektakolar ishte në ndeshjen kundër Fiorentina-s, ku gjeti rrugën e rrjetës dy herë, lojë të cilën Milan-i e fitoi me rezultat 4:3.

Kurse, ndeshje të mirë Ibra shfaqi edhe kundër Lazio-s, të cilën Milan-i e fitoi me rikthim në rezultat, ku suedezi asistoi te goli i Sandro Tonali-t që u shënua në minutat shtesë.

Ky ishte kontributi i Ibrahimovic-it në fushë me Milan-in, por edhe në kohën kur nuk mundte të luante, ai bënte sikur rolin e trajnerit për t’i motivuar bashkëlojtarët e tij.

Pas fitores në ndeshjen e fundit ndaj Sassuolo-s, Milan-i siguroi titullin kampion, sukses të cilin pak kush e kishte pritur nga kuqezinjtë, ndoshta as vetë ata.

Festa ishte e madhe në “Mapei Stadium” të Sassuolo-s, derisa ‘shoë’ nuk mungoi aspak nga suedezi, i cili ‘çmendej’ nga gëzimi për fitimin e titullit kampion me skuadrën e tij.

https://www.youtube.com/watch?v=90Wgti9kayA

Në momentin e marrjes së medaljes, Ibra ndezi një puro dhe hapi një shampanjë duke i lagur tifozët e kuqezinjve.

Ai më pas mbajti një fjalim në dhomat e zhveshjes, me të gjithë futbollistët kuqezi, stafin teknik dhe drejtuesit e klubit.

“I dua të gjithë këtu. Djema qëndroni të qetë, nuk ju thirra për t’iu thënë lamtumirë” tha Ibra duke qeshur.

“Kur kemi nisur nga dita e parë, që kur erdha unë e më pas të tjerët, jo të gjithë besuan te ne. Kur kuptuam se duhet të bëjmë shumë sakrifica, të besojmë, të vuajmë dhe të punojmë, ne u bëmë një grup i fortë dhe me këtë grup kemi arritur këtu ku jemi”, vazhdoi suedezi.

“Tani jemi kampionë të Italisë. Dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët dhe Maldin-in, Massara-n dhe Gazidis. Nuk ishte e lehtë të fitonim këtë kampionat, por grupi e bëri të veten”.

“Tani ju kërkoj të më bëni një nder. Festoni si kampion sepse nuk është Milano që i përket Milan-it, është Italia që i përket Milan-it”, tha Ibra i cili më pas rrotulloi tavolinën që kishte pranë dhe filluan të gjithë të festojnë dhe të brohorasin.

Festa më pas vazhdoi edhe rrugës për në Milano, ku aty po i prisnin mijëra tifozë të mbledhur në qytetin e modës.

Pas orës 1 të mëngjesit, Ibra mori mikrofonin dhe bërtiti në italisht më të thyer se zakonisht: “Kjo nuk do të ishte e mundur pa juve. Unë ju them, Milano nuk është Milano. Italia është Milano! Forza Milan gjithmonë!”.

Festa nuk u ndal as ditën e hënë, kur me autobusin e hapur, lojtarët kuqezinj bënin xhiro nëpër rrugët e Milanos.

Ibra nuk mungoi për ta dhuruar ‘show’-in e tij as aty. Ai përsëri mori mikrofonin dhe inkurajoi turmën që ta fyente ish-futbollistin e Milan-it, Hakan Calhanoglu-n duke thënë “Hej, dërgoni një mesazh Hakanit”.

Tifozët më pas shpërthyen duke e sharë Calhanoglu-n, i cili është shndërruar në një nga futbollistët më të urryer të kuqezinjve, pasi u transferua nga Milan-i në Inter në fillim të sezonit me parametra zero.

Ai madje kishte deklaruar se po shkonte në Inter për të fituar trofe, pasi që me Milan-in nuk mund të fitonte asgjë.

Kështu, Ibrahimovic kishte edhe momente tjera që bënte gjëra interesante në festën e Milan-it, derisa ai ende nuk dihet se a do të jetë pjesë e tyre edhe për sezonin e ardhshëm.

Asnjë deklaratë e tij nuk është dhënë për të ardhmen, por duke parë që ai nuk është përshëndetur me tifozët, me shumë gjasë do të jetë në “San Siro” edhe për sezonin e ardhshëm.

Sa i përket titullit kampion, bomberi suedez tha se suksesin ia dedikoi mikut dhe ish-menaxherit të tij, Mino Raiola-s, i cili ndërroi jetë para pak ditësh.

Dhe në fund kujtojmë që Ibra në dy periudhat e tij me Milan-in, ka shënuar 92 gola në 158 paraqitje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore