Lajme

Një i akuzuar pranon fajësinë për rastin “Subvencionet”


Aksioni i Policisë së Kosovës “Subvencioni 2021”.

Fuat Morina, i akuzuar në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin “Subvencionet 1”, ka pranuar fajësinë.

Ndërsa, 13 të akuzuarit tjerë janë deklaruar të pafajshëm.

Gjithashtu, për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit u pajtua prokurori nga Prokuroria Speciale, Rafet Halimi dhe të njëjtin e aprovoi gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Krasniqi, bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Morina do të bëhet më 2 qershor.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Lidhur me 13 të akuzuarit tjerë, gjykatësi tha se të njëjtit kanë të drejtë që në afat prej 30 ditësh të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, seanca e paraparë të mbahej më 28 prill kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Salih Kelmendi, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Me 3 dhjetor, Policia e Kosovës ka realizuar një aksion si vazhdimësi e aksionit “Subvencione 2021”, që kishte filluar në muajin shkurt.

Edhe, më 30 qershor, Albanian Post, kishte raportuar për vazhdimin e aksionit “Subvencioni 2021”.

“Policia e Kosovës, me autorizim të organeve kompetente ka filluar një operacion të gjerë policorë, i cili është duke u realizuar në disa lokacione të komunave të ndryshme”.

Në muajin shkurt të këtij viti, ishin arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 janë zyrtarë të shtetit dhe janë konfiskuar 400 mijë euro, në një aksion të madh të policisë në Kosovë.

Skandali me subvencione në Bujqësi deri  në shkurt të vitit 2021 kishte çuar në arrestimin e mbi 20 personave zyrtarë që dyshohen për ryshfet dhe rreth 400, mijë euro të sekuestruara.

“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar: 433,160.00 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8  vetura, 1 kompjuter, 5 armë, 1  USB dhe 1 vulë”, është thënë në njoftimin e Policisë një ditë pas aksionit të zhvilluar në disa qytete të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore