Shqipëria

Një humbje jete dhe rënie e rasteve të reja me COVID-19 në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një humbje jete nga coronavirus-i, teksa kanë rezultuar pozitiv 69 persona.

Një 73-vjeçar nga Tirana nuk ka mundur të fitojë betejën me COVID-19. Ndërsa vihet re njё ulje e ndjeshme e rasteve të reja në krahasim me ditën e djeshme që ishin 182.

Pozitivë kanë rezultuar 21 raste në Tiranë, gjashtë në Durrës, pesë në Vlorë, Himarë, Librazhd, katër në Fier, tre në Lezhë, Kavajë, dy në Vau të Dejës, Mirditë, Kamëz, një në Shkodër, Has, Kurbin, Vorë, Lushnje, Sarandë, Konispol, Përmet, Korçë, Peqin dhe Gramsh.

Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 30 pacientë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 21 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130 mijë e 439 që nga fillimi i epidemisë.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, kanë humbur jetën 2 mijë e 460 qytetarë. Janë kryer 932 mijë e 991 testime totale dhe 3 mijë e 46 testime ditore.

Aktualisht janë 1 mijë e 82 raste aktive me Covid-19 në të gjithë vendin.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i’u ka bёrё apel qytetarëve pёr t’u vaksinuar, me qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit qё po ofrojnё shёrbimin kudo në vend.

Apeli i MSHMS-së erdhi pas identifikimit të variantit Delta dhe në Shqipëri, i cili sipas ekspertёve është më ngjitës dhe më lehtë i transmetueshëm.

Fushata e vaksinimit

Që prej datës 1 gusht fushata e vaksinimit masiv u vendos tё qёndrojё e hapur dhe pёr një muaj.

Kjo nismë i parapriu asaj tё datës 19-25 korrik, nё tё cilёn u vendos një javë e hapur e vaksinimi masiv për çdo qytetar +18 vjeç.

E gjitha kjo ka ardhur në kuadër të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”.

Deri më tani, Shqipëria ka vaksinuar mbi 1 milionë e 259 mijë qytetarë.

Po ashtu, mbi 500 mijë të tjerë kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Aktualisht, Shqipëria administron mbi 1 milionë e  755 mijë vaksina. Vaksinat e përdorura janё: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore