Lajme

Një ditë para vendimit në Speciale – flet djali i Hysni Gucatit: Jemi optimistë, do ta fitojmë këtë rast


Të mërkurën e 18 majit, në ora 10:00 Gjykata Speciale do ta shpallë aktgjykimin për ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, derisa familjarët e janë të bindur në pafajësinë e tyre.

Ata presin që Gucati e Haradinaj të lirohen të pafajshëm, teksa konsiderojnë që Specialja s’ka asnjë fakt për t’i dënuar.

Aktakuza që rëndon mbi Gucatin dhe Haradinaj thuhet se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarje së mëtejshme, të dy zbuluan, pa autorizim informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Musli Gucati, djali ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë për Albanian Post se beson që të mërkurën do të shpallet një vendim pozitiv në favor të Gucatit dhe Haradinajt, pasi pretendon që nuk ka arsyeje dhe asnjë argument për t’i dënuar ish-krerët e OVL-së.

Madje, ai ankohet se procesi ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm, duke shtuar se procesi “është dashtë të përfundojë moti dhe t’i lirojë të dytë të pafajshëm”.

“Ekipi mbrojtës janë shumë optimistë dhe po shpresojnë që do ta fitojnë rastin dhe lirohen nga kjo padrejtësi e madhe që po u bëhet”, ka potencuar Gucati.

Ai ka treguar se ka komunikuar vazhdimisht me babanë dhe gjendja e emocionale e tij është e mirë.

“Ata janë optimistë dhe janë duke shpresuar që nesër do të përfundojë gjithçka në favor të tyre, por ata asnjëherë nuk kanë qenë pishmanë pse i kanë mbrojtur vlerat e tyre. Ata janë nën emocione sepse janë bërë dy vjet që janë privuar nga familja e tyre”.

Ndryshe nga seancat e tjera, të mërkurën disa pjesëtarë të familjes Guacati do të marrin pjesë fizikisht në seancën përfundimtare në rastin Gucati – Haradinaj.

“Kemi ardhur me disa familjarë të rrethit të ngushtë, nesër do të jemi në seancë prezentë kur do të shpallet aktgjykimi në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Janë edhe disa familjarë të tjerë, po besoj që nuk do të na zë salla të gjithëve”, ka shtuar ai..

Edhe vëllai i Nasim Haradinajt, Agroni është shprehur për Albanian Post se presin që ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallet i pafajshëm të mërkurën e 18 majit në Hagë nga Gjykata Speciale.

“Ata kanë kërkuar që të dënohet gjashtë vite, por ne presim që të shpallet i pafajshëm”, thotë Agroni për Albanian Post.

Ai është i kënaqur me procesin gjyqësor, derisa thotë se të dielën ka biseduar në telefon me vëllain që është në paraburgim në Hagë.

“Kam biseduar të dielën me të, gjendja e tij është e mirë. Ka thënë që nuk i beson Speciales”, shtoi ai.

Aktakuza kundër këtyre dy të akuzuarve u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u bë publike më 14 dhjetor të po këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj gjithashtu “kanë bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër këtyre dëshmitarëve dhe në mënyrë të përsëritur shprehin synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara”, shkruan në raportin e DHSK-së.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore