Kosova

Një delegacion nga Kongresi amerikan viziton Kosovën


Senatorja republikane, Joni Ernst, dhe një delegacion i Kongresit amerikan po e vizitojnë Kosovën.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, senatorja Ernst do të takohet me liderët qeveritarë, sipërmarrësit vendas dhe partnerët e tjerë kosovarë për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin në kuadër të Programit për Partneritet Shtetëror të Ajovës me Kosovën–që është standard i artë për programet e partneritetit shtetërorë në mbarë botën”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane për Radion Evropa e Lirë.

Programi ka për bazë bashkëpunimin ndërmjet Gardës Kombëtar të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) dhe të ndërtojnë raporte të rëndësishme.

“SHBA-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e FSK-së, në transformimin e tyre transparent 10-vjeçar drejt një force multietnike të mbrojtjes territoriale. Aktivitetet e përbashkëta ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Kosovës jo vetëm që rrisin kapacitetet e FSK-së, por ndërtojnë raporte të rëndësishme, prezantojnë lidership dhe rrisin besimin mes dy vendeve tona”.

Gjatë vizitës në Kosovë, senatorja republikane nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joni Ernest është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë takimit Osmani dhe Ernest kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Kënaqësi të mirëpres Senatoren Joni Ernst nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, e në veçanti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes si dhe fushat e tjera”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

Senatorja republikane nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joni Ernest dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim Senatoren Ernest.

Ajo ka shprehu “përkrahjen e pa rezervë të SHBA-ve për Republikën e Kosovës”, ndërsa Konjufca ka falënderuar senatoren për përkrahjen e SHBA-ve për FSK-në.

“Konjufca ri konfirmoi po ashtu gatishmërinë për forcimin e miqësisë së palëkundur dhe partneritetit ndërmjet vendeve tona, duke theksuar se roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit.

Senatorja republikane nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joni Ernest dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Në muajin mars të vitit 2021, Forca e Sigurisë së Kosovës së bashku me Gardën Kombëtare të Ajovës ishin nisur në një mision paqeruajtës në Kuvajt.

Ndërsa ish ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, kishte thënë se ëndrra e shumë brezave po bëhet realitet.

“Është privilegj i veçantë të jemi dëshmitarë të një ngjarjeje historike për Kosovën. Në këtë moment të veçantë jemi të nderuar të kurorëzojmë sakrificën e shumë brezave në shërbim të atdheut që me shkronjat e FSK-së të shkruajnë historinë më të re të saj për kontributin e djemve e vajzave të ushtrisë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare”, kishte thënë Quni.

Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë muajit qershor për herë të parë e kishte ngritur Flamurin e Republikës së Kosovës në kuadër të misionit paqeruajtës në shtetin e Kuvajtit.

FSK, si anëtar i koalicionit të forcave të përbashkët të kombinuar për herë të parë merr pjesë në një mision paqeruajtës krah ushtrisë Amerikane, më saktësisht krah gardës kombëtare të IOWA-s në Kuvajt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore