Sport

Një Çerek Shekulli Special


Jose Mourinho

Jose Mourinho është në një tjetër finale të kupës evropiane pasi skuadra e tij, Roma, mposhti Leicester City-n në gjysmëfinalen e Ligës së Konferencës së Evropës dhe kaloi tutje për t’u përballur me Feyenoord-in.

Ndërsa kompeticioni i ri nuk ka të njëjtën joshje si Liga e Kampionëve apo Europa League, menaxheri i Romës e kërkon medoemos një tjetër trofe në koleksionin e tij mbresëlënës.

Nëse Roma triumfon, Mourinho do të ishte i pari që do të përfundonte një hat-trick të kupave evropiane, pasi ai tashmë ka fituar dy Champions League dhe një Europa League.

Pas qëndrimeve me disa nga klubet më të mëdha në botë, Mourinho ka dëshmuar aftësinë e tij për të fituar trofe pothuajse kudo që shkon dhe është në prag për ta bërë këtë edhe një herë.

Trofetë e fituar nga Jose Mourinho

Mourinho ka fituar 25 trofe klubesh deri më sot dhe më parë ka bërë shaka se në fakt ka fituar 25 e gjysmë pasi u shkarkua vetëm disa ditë para se Tottenham të luante në finalen e Carabao Cup 2021.

Trajneri portugez filloi të fitonte trofe në vitin 2003 me Porto-n dhe e shtoi në koleksionin e tij me Chelsea, Inter Milan, Real Madrid dhe Manchester United.

Trofetë e fituar nga Mourinho me Porto-n
Trofetë e fituar nga Mourinho me Chelsea-n
Trofetë e fituar nga Mourinho me Inter-in, përfshirë edhe tripletën
Trofetë e fituar nga Mourinho me Real Madrid-in
Trofetë e fituar nga Mourinho me Manchester United

Rrugëtimi special i Mourinho-s

Mourinho në Porto

Mourinho e di se si të përfitojë maksimumin nga skuadra e tij në një finale dhe ka fituar çdo ndeshje për titullin e Champions League ose Europa League që ekipet e tij kanë arritur.

Ai fitoi finalen e parë të Kupës Evropiane me Porton kundër Celtic në Kupën UEFA 2003.

Ndërsa Porto humbi në Superkupën e UEFA-s disa muaj më vonë nga AC Milan, Mourinho do ta drejtonte skuadrën e tij drejt titullit të Ligës së Kampionëve në sezonin 2003-04 pasi ata mposhtën 3-0 Monaco-n në finale.

Mourinho duke puthur trofeun e Ligës së Kampionëve, sezonin 2003/2004

Mourinho në Chelsea

Pas tronditjes së Evropës me sukses të njëpasnjëshëm në Kupën UEFA dhe Ligën e Kampionëve, aksionet e Mourinho-s ishin rritur ndjeshëm dhe ai u zgjodh të pasonte Claudio Ranierin te Chelsea përpara sezonit 2004-05.

Ai fitoi Kupën e Ligës kundër Liverpool-it përpara se të vazhdonte të arrinte titullin e Premier League me një numër rekord prej 95 pikësh, që i pa ata të përfundonin 12 pikë përpara rivalëve të tyre më të afërt, Arsenal.

Jose Mourinho, Frank Lampard, John Terry dhe Paulo-Ferreira me trofeun e Premier League-s. Foto: Getty Images

Sezonin e ardhshëm, Mourinho dhe Chelsea fituan Community Shield dhe fituan përsëri Premier League-n.

Më pas, Mourinho u kthye përsëri në Chelsea në vitin 2013, dhe arriti të fitojë përsëri trofeun e Premier League në sezonin 2014/2015.

Mourinho me trofeun e Premier League-s në sezonin 2014/2015. Foto: Getty Images

Mourinho në Inter

Pasi dështoi të arrinte një finale evropiane gjatë periudhës së tij të parë me Chelsea-n, Mourinho nuk do të shkonte në finale deri në sezonin 2009-10 me Inter-in, ku ai u largua nga ndeshja si fitues pasi italianët mposhtën Bayern Munich-un 2-0.

Përveç Ligës së Kampionëve, atë sezon Inter-i në krye me Mourinhon fituan edhe Serie A dhe Kupën e Italisë për të përmbushur tripletën, ku arritën të ndalin edhe dominimin e Barcelonës në Evropë, me taktikat defensive të Mourinho-s.

Mourinho me trofeun e Ligës së Kampionëve me Inter-in. Foto: Getty Images

Mourinho në Real Madrid

Pasi e kryesoi Inter-in drejt një sezoni dominues në 2009-10, me titullin e Ligës së Kampionëve, Mourinho u konsiderua nga hierarkia e Real Madridit si njeriu ideal për të thyer dominimin e Barcelonës nën sundimin e Pep Guardiolës dhe ai e bëri këtë..

Portugezi fitoi një trofe në sezonin e tij të parë në krye në Santiago Bernabeu, duke mposhtur Barcelonën për të ngritur Kupën e Mbretit, por ata përfunduan nënkampione ndaj rivalëve të tyre katalanas në La Liga.

Megjithatë, ai do të vazhdonte të fitonte La Ligën sezonin e ardhshëm, duke i dhënë fund dominimit të Barcelonës në Spanjë.

Trajneri portugez nuk ishte në gjendje ta çonte Real Madrid-in në një finale evropiane gjatë periudhës së tij dramatike dyvjeçare dhe u kthye në Chelsea ku humbi Superkupën e UEFA-s në 2013 me penallti ndaj Bayern-it.

Skuadra e Real Madrid-it duke festuar me Mourinho-n, pas fitores së La Liga-s. Foto: Manuel Queimadelos Alonso/Getty Images

Mourinho në Manchester United

Katër vjet më vonë, Mourinho do të fitonte Europa League-n me Manchester United, por nuk arriti të fitonte finalen e Superkupës së UEFA-s kundër Real Madrid-it.

Ky është poashtu trofeu i fundit që ka fituar Manchester United.

Mourinho duke puthur trofeun e Europe League. Foto: Ian MacNicol/Getty Images

Rekordi i Jose Mourinhos në finalet e kupave evropiane

Rekordi i finaleve të Champions League: 2 fitore(Porto & Inter Milan)

Rekordi i finaleve të Europa League/kupës UEFA: 2 fitore (Porto & Man United)

Rekordi i Superkupës së UEFA-s: 3 humbje (Porto, Chelsea dhe Man United)

Si ka performuar Jose Mourinho te Roma?

Pasi u shkarkua nga Tottenham para finales së Carabao Cup 2021, Mourinho do t’i bashkohej Romës vetëm disa muaj më vonë.

Skuadra e Serisë A nuk ka fituar ende trofe nën menaxherin e tyre, por ata kanë treguar shenja përmirësimi këtë sezon.

Pasi përfundoi në vendin e shtatë në Serinë A, sezonin e kaluar, ku u futën në play-off të Ligës së Konferencës së Evropës, Roma përfundoi në vendin e gjashtë në Serie A, një pikë prapa rivalëve Lazio.

Jose Mourinho dhe Gianluca Mancini duke festuar golin e El Sharawy-t Foto: Federico Proietti/DPPI/Icon Sportswire via Getty Images

Është një përfundim që do t’i shohë të dyja skuadrat me bazë në Romë të shkojnë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës në sezonin 2022/23.

Roma u eliminua në çerekfinale të Kupës së Italisë nga Inter-i, por ende mund ta mbyllë sezonin me një trofe të madh.

Ndërsa forma e Romës në Ligën e Konferencës nuk ka qenë shumë e përsosur – ata humbën 6-1 ndaj Bodo/Glimt në fazën e grupeve – ata kanë gjetur formën në kohën e duhur dhe tani do të përballen me Feyenoord në finalen “Tirana 2022”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore