Lajme

Një burrë kanadez arrestohet për vrasjen e dy grave në vitin 1983 pas zbulimit të ADN-së


Një 61-vjeçar kanadez është akuzuar për vrasjen e dy grave që u gjetën të vdekura në shtëpitë e tyre në Toronto katër dekada më parë.

Shefi i policisë James Ramer ka treguare se Joseph George Sutherland, nga Moosonee, Ontario, u arrestua dhe u akuzua për vrasjen e Erin Gilmour dhe Susan Tice në vitin 1983.

Sipas tij, të dyja gratë ishin sulmuar seksualisht dhe ishin therur me thikë për vdekje.

Megjithëse trupat e tyre u zbuluan katër muaj larg njëri-tjetrit, detektivët i lidhën vdekjet duke përdorur teknologjinë e ADN-së në vitin 2000 dhe hetuesit dyshuan për të njëjtin njeri në të dy rastet.

Autoritetet kanë bërë me dije se Gilmour ishte një stiliste aspirues 22-vjeçare dhe Tice ishte një nënë 45-vjeçare e katër fëmijëve dhe punonte me fëmijët me aftësi të veçanta.

Në vitin 2019, mostrat gjenetike në këtë rast u dërguan në një laborator në Teksas, ku rezultatet u kryqëzuan me mostrat e ngarkuara në një kompani të testimit gjenetik me bazë në Houston.

Nga atje, detektivët punuan duke ndërtuar një pemë familjare të të afërmve më të afërt të përbashkët të të dyshuarit.

Po ashtu policia i dha atij një urdhër që ADN-ja e tij të testohej drejtpërdrejt kundër mostrave të gjetura nga skenat e krimit.

I njëjti laborator kishte ndihmuar policinë në një rast tjetër, duke analizuar mostrat e ADN-së për të identifikuar njeriun që ka të ngjarë të ketë vrarë nëntë-vjeçaren Christine Jessop në vitin 1984.

Sakaq, Sutherland nuk kishte qenë më parë i dyshuar apo person i akuzuar për vdekjen e Gilmour dhe Tice dhe se policia nuk do ta kishte lidhur atë pa teknologjinë e ADN-së.

Tani, policia do të hetojë nëse Sutherland është i lidhur me ndonjë rast tjetër të pazgjidhur nga 39 vitet e fundit.

Detektivët po kontaktojnë gjithashtu shërbimet e policisë në të gjithë provincën ku burri mund të ketë jetuar ose mund ta ketë vizituar.

Sutherland do të paraqitet në gjykatë më 9 dhjetor.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore