Lajme

Një avion zbulues amerikan fluturoi mbi Detin Baltik, fill pas shpërthimeve të Nord Stream 2


Një avion zbulues i marinës amerikane P-8A Poseidon fluturoi pranë vendit të shpërthimit të tubacionit Nord Stream 2 në Detin Baltik, disa orë pasi u shfaqën shenjat e para të dëmtimit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar të dhënat e shërbimit “Radarbox”.

“Marina amerikane e P-8A Poseidon … po kryente një fluturim rutinë zbulimi detar në Detin Baltik që nuk kishte lidhje me rrjedhjet e gazsjellësit Nord Stream”, tha për Reuters zëdhënësja e Marinës Amerikane për Evropën dhe Afrikën, Tamara Lawrence.

Ajo refuzoi të specifikonte nëse avioni zbulues mund të kishte mbledhur të dhëna që mund të ndihmonin në përcaktimin e rrethanave të shpërthimeve në Nord Stream.

Aktualisht është e paqartë se çfarë roli do të luajë ushtria amerikane në hetimin evropian për çarjet e tubacionit, megjithëse presidenti Joe Biden ka lënë të kuptohet se mund të dërgohen zhytës për këtë qëllim.

Tubacionet ruse Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 shpërthyen më 26 shtator, duke shpërndarë gaz në Detin Baltik në brigjet e Danimarkës dhe Suedisë.

Sizmologët regjistruan shpërthime në zonë dhe polici të ndryshme filluan një hetim.

Përfundimet e para të inspektimit suedez, i cili u krye në vendin e zbulimit të tubave të Rrjedhës së Veriut, forcuan versionin e sabotimit.

Nga ana e tij, presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, akuzoi SHBA-të për sabotim të tubacioneve të gazit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore