Lajme

Nivele “alarmante” seksizmi në Francë


Në Francë, seksizmi mbetet në nivele “alarmante” në të gjitha fushat.

Kështu rezulton nga një raport zyrtar që ka zbuluar se situata po përkeqësohet, veçanërisht për gratë më të reja.

Gratë janë në shënjestër të formave të reja të ngacmimit, duke përfshirë dhunën në internet, abuzimin verbal në mediat sociale dhe pornografinë me përmbajtje “barbare”.

Po ashtu raporti ka zbuluar një “reagim” të burrave në të gjithë shoqërinë franceze ndaj lëvizjes #MeToo në mediat sociale që kërkonin “ose që gratë të heshtnin ose do t’i diskreditonin”.

Referuar zbulimit të fundit, situatat e diskriminimit, dhunës dhe ngacmimit kanë arritur “përmasa alarmante”.

Studimi i 2 mijë e 500 njerëzve nga Autoriteti i Lartë për Barazinë (HCE), një organ konsultativ, ka zbuluar se sjelljet seksiste po rriteshin në të gjitha sferat, me shumë burra që besonin se sjellja e dhunshme dhe diskriminuese ishte e pranueshme.

Burrat e moshuar shpesh mbetën të mbërthyer në qëndrimet konservatore ndaj roleve mashkullore dhe femërore në shoqëri, ndërsa më të rinjtë shfaqnin herë pas here prirje agresive.

Ndër vajzat e moshës 18-24 vjeç, 22 për qind kanë thënë se kishin vuajtur “kontroll psikologjik ose xhelozi të tepruar” nga një partner dhe 15 për qind ishin rrahur nga partneri ose ish-partneri i tyre. Një përqindje që shkonte në 20 për qind te gratë e moshës 50-64 vjeç.

Sakaq, më shumë se një e treta e grave franceze të anketuara kanë thënë se kishin qenë subjekt i kryerjes së marrëdhënieve seksuale pa konsensus.

HCE ka zbuluar gjithashtu se 33 për qind e grave të pyetura kishin kryer marrëdhënie seksuale kur nuk dëshironin, por partneri i tyre kishte këmbëngulur.

Kurse 12 për qind prej tyre kishin kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura me insistimin e partnerit të tyre. Një përqindje që shkonte në 18 për qind për grupmoshën 25-34 vjeç.

Nga 18-24-vjeçarët e anketuar, 22 për qind kanë thënë se kishin pësuar abuzim seksual ose përdhunim.

Pavarësisht se njerëzit janë të vetëdijshëm për dhunën dhe diskriminimin që nga lëvizja #MeToo “paragjykimet dhe stereotipet gjinore, klishe seksiste dhe seksizmi i përditshëm janë ende të zakonshme”.

“Njerëzit e njohin dhe e dënojnë ekzistencën e seksizmit, por nuk e refuzojnë atë në praktikë, një fenomen veçanërisht i përhapur në mesin e burrave të pyetur”, ka zbuluar raporti.

Sipas tij, ky hendek midis perceptimit, deklaratave dhe praktikës ka pasoja të prekshme në aspektin e dhunës simbolike, fizike, seksuale dhe ekonomike.

“Nga seksizmi i përditshëm, i ashtuquajturi ‘i zakonshëm’ deri te manifestimet e tij më të dhunshme, ka një vazhdimësi dhune, njëra që përbën themelin e të tjerëve,” thuhej në të.

Ndërkohë, të anketuarit kanë cekur edhe çështjen e mungesës së besimit në masat zyrtare për të luftuar seksizmin dhe për t’iu përgjigjur “një situate që po përkeqësohet me fenomenin e ri: dhuna në internet”.

“Përveç kësaj, ka shenja të qarta se të drejtat themelore të grave, veçanërisht të drejtat seksuale dhe riprodhuese, janë duke u gërryer në botë”, ka theksuar raporti.

93 për qind kanë pohuar se burrat dhe gratë trajtohen ndryshe në të paktën një nga aspektet e jetës së tyre: punë, hapësirë publike, shkollë ose familje.

Ndërsa 80 për qind e grave të pyetura kanë thënë se ishin trajtuar më pak mirë për shkak të gjinisë të tyre.

Fabienne El Khoury, një zëdhënëse e grupit feminist Osez Le Féminisme, ka veçuar se situata ishte ‘dëshpëruese, por jo befasuese”.

“Ne shohim se seksizmi është një problem strukturor. Nuk është vetëm një çështje e diskriminimit në paga dhe pensione ose një numër në rritje i femicideve, të cilat janë pjesa e dukshme e ajsbergut, por një mentalitet i tërë që duhet të ndryshojë”.

Sipas saj, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të prezantohet një edukim feminist që në moshë të re për të luftuar stereotipet seksiste dhe për të trajtuar pornografinë që është e dhunshme, mizogjene dhe degraduese për gratë, por që po tërheq djem të rinj në moshë gjithnjë e më të vogël.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore