Lajme

Nitaj për Albanian Post: Kosova ta shfrytëzojë angazhimin evro-amerikan, t’i zgjidhim njëherë e mirë mosmarrëveshjet me Serbinë


Sekretar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, po insiston që Qeveria aktuale t’i jap fund bisedimeve të gjata me Serbinë, por duke e shfrytëzuar angazhimin evro-amerikan, “për t’i zgjidhur njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet shekullore, e jo ta luajë rolin e të fortit”.

Ai në një prononcim për Albanian Post thotë se propozimi franko-gjerman të cilin AP e ka publikuar të dielën e 18 shtatorit, “ka shumë informata dhe gjysmë të vërteta, por korniza e tij thuhet të jetë e mirë”.

“Është e domosdoshme që spektri politik në Kosovë të jetë i përbashkuar me aleatët perëndimorë, pa të cilët vështirë të përmbyllet ky proces”, thekson Nitaj.

“Duhet të kemi më shumë besim të Amerika, Gjermania, Britania, Franca e plot shtete të tjera që kanë kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Sipas propozimit franko-gjerman në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka bërë të ditur se detajet e propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, do të bëhen publike shumë shpejt.

“Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”, ka pohuar Escobar në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’.

Nitaj: Kosova s’e ka komoditetin të veprojë pa u harmonizuar me aleatët

Nitaj i cili ka memorie të gjatë për zhvillimet politike në Kosovës, pasi për shumë vite kishte punuar si gazetar për BBC-në, thekson se Kosova nuk e ka komoditetin të veprojë pa u harmonizuar me aleatët perëndimorë, “për shumë arsye”.

“Në fakt krejt çka është arritur deri më sot është bërë edhe me ndihmën e demokracive më të fuqishme perëndimore në krye me SHBA. Prandaj edhe hezitimi për të mos thënë mospërfillja e këshillave apo kërkesave të tyre, nuk është veprim, as i mençur e as i dobishëm”.

Ish-deputeti i AAK-së konsideron që duhet të insistohet dhe të punohet për marrëveshjen finale me Serbinë.

“Kjo të ndodhë sahat e më parë. Është e papranueshme që ky proces të eklipsohet nga çështje e probleme më të vogla apo edhe teknike”.

Ai shtoi se “nuk bën që për shkak të drurit të mos shihet mali”, duke shtuar se Kosova duhet të këtë më shumë besim te partneret.

“Mozaiku është me i gjerë dhe me i komplikuar”, përfundoi Nitaj.

Lutfi Haziri për propozimin franko-gjerman: Qeveria ta shfrytëzojë momentumin, mos të hezitojë më

Ndërsa nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga politikanët më potent në dekadën e fundit, Lutfi Haziri, ka thënë për Albanian Post se plani franko-gjerman ka sjellur një moment të ri në politikë, por Qeveria e Kosovës në vend se ta shfrytëzonte ka zgjedhur “kulturën hezituese të mosveprimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore