Auto

Nisja e mbarë e Daimler-it për vitin 2021


Prodhuesi gjerman i automjeteve, Daimler, ka pasur nisje të mbarë të vitit 2021 pavarësisht mungesës globale të çipave dhe ka në plan të ndryshojë modelin e saj të makinave elektrike.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se kompania pret që viti 2021 të jetë dukshëm më i mirë krahasuar me vitin e mëparshëm lidhur me të ardhurat dhe fitimet e kompanisë.

Ngjashëm si me rivalët e tjerë të saj, Daimler ka përfituar nga kërkesa kineze për automjete luksoze me marzhë të lartë në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Kjo ka bërë që shitjet të rikuperohen nga ndërprerjet e prodhimit në periudhën e pranverës për shkak të pandemisë.

“Pas një fillimi të mirë nga era e vitit të kaluar, Daimler është i sigurt për vitin e tanishëm financiar”, ka deklaruar kompania.

Sipas Reuters, pjesa më e madhe e industrisë së automjeteve ka luftuar për të ruajtur prodhimin për shkak të mungesës globale të çipave gjysmëpëçues gjatë vitit të kaluar.

Lidhur me planet e kompanisë, Daimler ka njoftuar se deri në fund të vitit 2021 do të zhvillohen përgatitjet për renditjen e planifikuar të njësisë së saj të prodhimit të kamionëve të quajtur Daimler Truck.

Planet janë për heqjen e njësisë së prodhimit në mënyrë që të rritet tërheqja e investitorëve te fokusi i saj i ri si një biznes i makinave elektrike dhe atyre luksoze.

Madje, Daimler ka njoftuar edhe shpejtimin e planeve për elektrifikimin e gamës së saj të produkteve. Por, nuk ka dhënë shumë detaje për këtë plan të saj.

“Ne duam të përshpejtojmë elektrifikimin e portofolit të produkteve tona”, është shprehur shefi ekzekutiv i kompanisë, Ola Kallenius.

Ai ka shtuar se “është qëllimi ynë që ta arrijmë këtë objektiv sa më shpejt”.

Gara mes prodhuesve të automjeteve sa vjen dhe bëhet më e fortë. Ata po përpiqen të prezantojnë modelet e makinave të reja elektrike në një kohë kur caqet e emetimeve të karbonit në Evropë dhe në Kinë po shtrëngohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore