Shqipëria

Nis vaksinimi i operatorëve turistikë


Ka nisur sot vaksinimi i operatorëve turistikë në gjithë Shqipërinë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ka vizituar një qendër vaksinimi në Durrës, në shoqërinë e kryeministrit Edi Rama.

“Nis sot vaksinimi i operatorëve turistikë në të gjithë vendin, për një sezon turistik përtej pandemisë”, shkruan kryeministri.

Ai ka bërë gjithashtu me dije se qeveria është e gatshme të vaksinojë gjithë operatorët turistikë. Faza e parë nis me 2 mijë të tillë, ka bërë me dije ministrja.

Ky proces do të jetë lehtësues për gjithë sektorin turistik, duke qenë se turistët duan hotele të pastra nga Covid 19.

Kategoria e transportit urban dhe ndërurban do të jetë fasha tjetër, e cila pritet të nisë vaksinimin.

Në Shqipëri ndërkaq vazhdon procesi i vaksinimit në të gjitha qarqet. Janë mbi 314 mijë persona të vaksinuar deri tani.

Mbi 200 mijë prej tyre janë të moshuar mbi 70 vjeç. Këtë fundjavë pritet gjithashtu të vijnë mbi 90 mijë doza të vaksinave AstraZeneca.

Vaksinimi vazhdon për kategorinë e arsimtarëve. Për bluzat e bardha është përmbyllur tërësisht. Për policët ndërkaq, pjesa më e madhe e fazës së parë është përfunduar.

Vaksina të tjera Sputnik V dhe Sinovac pritet të vijnë gjithashtu në javët në vijim. Doza të tjera nga Pfizer-i, janë po ashtu të pritshme.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore