Lajme

Nis takimi trepalësh Bislimi-Lajçak-Petkoviç


Ilustrim

(Ky lajm është përditësuar)

Një raund i ri i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet këtë të hënë në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Tashmë ka nisur takimi i përbashkët mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefit i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas takimeve të ndara të kryenegociatorëve të të dyja shteteve me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka nisur takimi trepalësh/trilateral Bislimi-Lajçak-Petkoviç, i cili do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit.

Ky takim vjen pas vizitës dy-ditore të emisarit të BE-së, i cili të premten dhe të shtunën qëndroi në Prishtinë dhe Beograd, si pjesë e përpjekjeve për të përgatitur terrenin për raundin tjetër të dialogut në nivel kryenegociatorësh, ku pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Bislimi dhe Petkoviç në takimin e fundit ishin pajtuar për Deklaratën për Personat e Pagjetur – një zotim i kahershëm për t’u marrë me çështjen e personave të zhdukur me dhunë nga lufta në Kosovë – e cila u miratua në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në takimin e nivelit të larë të asaj dite ishte paraqitur edhe Draft-Statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e hartoi Ekipi Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë nga Partia Progresiste Serbe.

Megjithatë, kryeministri Kurti ka thënë se i njëjti është i papranueshëm ngase bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës – një “dëshirë e zjarrtë” për Republikë Serbe në Kosovë – prandaj edhe kishte paraqitur një variant si “draft-vizion” sipas modelit kroat për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Vizioni që propozova unë mund të them që është inspiruar nga një marrëveshje që ka bërë Serbia për normalizim. Është marrëveshja mes Serbisë dhe Kroacisë për normalizim. Unë jam inspiruar nga ai model […] Besoj se është modeli i duhur edhe për ne”, deklaroi Kurti.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, po insistojnë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh aktualisht në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndonëse palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta, për Perëndimin paraqitja e draft-statutit nga Ekipi Menaxhues – tashmë i shkarkuar/shpërndarë nga Qeveria e Kosovës – ishte vlerësuar si “hap simbolik” dhe “pikënisje” drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Palët bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga Ekipi Menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”, tha Lajçak.

Për këtë arsye, takimi mes Bislimit dhe Petkoviç-it do të shërbejë për të paraqitur edhe njëherë propozimet se si do të duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë apo siç nënvizoi Lajçak “një rrugë të mesme” për këtë mekanizëm madhor për serbët e Kosovës.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë rrugën e mesme dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë. Për BE-në është e pranueshme ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”, deklaroi Lajçak.

Gjithashtu, në këtë takim pritet të diskutohet edhe për situatën në komunat veriore të Kosovës të banuara me serbë etnikë . Lajçak gjatë vizitës së tij në Kosovë shkoi atje për të parë nga afër situatën. Fatkeqësisht, tha Lajçak, ajo çfarë dëgjova në takimet me një pjesë të shoqërisë civile dhe partive politike atje “më la të shqetësuar”.

Diplomatët evropiano-amerikanë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Kosova dhe Serbia veçse kanë filluar ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e pikave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë rrugën për t’i bindur palët që ta kuptojnë marrëveshjen si obligim ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore