Lajme

Vuçiç pas takimit me Macron: S’do të ketë takim me Kurtin


Aleksandër Vuçiç pas takimit me Macron

Pas përfundimit të takimit Macron – Vuçiç, ky i fundit në një konferencë për media ka bërë të ditur se me shumë gjasa nuk do të ketë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Sipas raportimeve të mediumit serb, Nova.rs, Vuçiç gjatë konferencës për media ka qenë i nervozuar, gjë që tregon se detajet e bisedës nuk ishin tërësisht pozitive.

Ai më tej ka bërë të ditur se me homologun e tij francez ka diskutuar për situatën e krijuar së fundmi në Kosovë.

“Nuk mund të jap detaje nga takimi”, ka deklaruar ai duke shtuar se me Macron kanë diskutuar edhe çështjen e targave.

“Unë e solla marrëveshjen e Brukselit për targat, i tregova Macronit nëse shkruan KS apo RKS, më tha se po, KS. Epo kaq po kërkojmë. Po kërkojmë vetëm atë çka shkruan në dokument”, ka thënë Vuçiç.

Takimi i sotëm me Macron, sipas Vuçiç’it ishte një nga më të rëndësishmet që ai ka pasur me të deri më sot.

“Më duket se më respekton që nuk e gënjej dhe se them të vërtetën dhe bëj atë që them. Besoj se mund të nënshkruajmë gjëra të mëdha në Beograd kur të vijë ai, do të ketë shumë detaje për të cilat do të flasim. Sot nuk është momenti për të gjitha”.

Vuçiç më tej gjatë konferencës ka bërë të ditur se tashmë Beogradi zyrtar ka dërguar përgjigje për propozimin franko-gjerman.

————————————————————————————————————————————————————————————————————————————–

Nis takimi Macron – Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë ditës së enjte ka takuar homologun e tij francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elise.

Sipas mediumit serb, Nova.rs, Vuçiç u prit me nderime të larta shtetërore nga Macron.

Pas ceremonisë së pritjes të dy liderët kanë filluar një takim tete a tete.

Vuçiç ka udhëtuar për në Paris për një vizitë dyditore në kuadër të Forumit të pestë të Paqes në Paris.

Ndryshe sipas raportimeve të mediave kosovare, Macron gjatë ditës pritet ta takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Ndryshe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Francë në kuadër të Forumit për Paqe të Parisit do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Të vazhdojmë përpjekjet për të ndihmuar Republikën e Kosovës dhe të Serbisë për të de-përshkallëzuar, për të zbutur tensionet aktuale dhe për të avancuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në rrjetin e tij social në Twitter.

Forumi i Paqes në Paris do të jetë momenti vendimtar për fatin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, do të obligohen të japin një përgjigje përfundimtare në raport me planin franko-gjerman.

Ashtu siç kishte njoftuar Albanian Post me 20 tetor, tashmë është i përcaktuar një skenar që duhet të konkretizohet së paku deri në shkurt të vitit të ardhshëm, kur edhe shënon një vjetori i luftës në Ukrainë.

Kurtit dhe Vuçiç-it u është bërë e qartë që duhet të futen shpejt dhe me patjetër në marrëdhënie kontraktuale, sepse zgjidhja e problemit mes tyre më nuk është vetëm çështje e dy shteteve.

Takimin me presidentin serb, Kurti e njoftoi të mërkurën në mbrëmje.

“Përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, tregoi Kurti.

Rreshtuar me kërkesën që i është bërë tash e dy muaj, Kurti tha se “jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Megjithatë, Kurti ka insistuar për “njohjen reciproke në qendër”.

Kryeministri pohoi në videon e publikuar se “i kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes si dhe propozimi franko-gjerman”, por në tavolinë nuk janë dy propozime.

Është vetëm një propozim dhe dy opsione dhe kërkohet po ashtu, vetëm një përgjigje.

Takimi trepalësh Macron-Kurti-Vuçiç është momenti vendimtar për marrëveshje, në Paris vendoset

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore