Shqipëria

Nis seanca për shkarkimin e Metës – Presidenca me dosje voluminoze


Me 140 faqe dosje voluminoze.

Kështu është paraqitur pala mbrojtëse e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në seancën gjyqësore për shkarkimin e tij pranë Gjykatës Kushtetuese.

Sipas përfaqësuesit të tij ligjor, Bledar Dervishaj, pas marrjes së pyetjeve nga ana e Gjykatës, Presidenca ka përgatitur të gjitha përgjigjet e nevojshme mbi çështjen.

Kërkesat e Metës, mbeten po të njëjtat me ato në seancën e parë ndaj tij, e cila u mbajt më 1 maj.

Sipas mbrojtjes, asnjë akt i vetëm i Metës, nuk është arritur të zbulohet, ku presidenti mund të implikohet me shkelje kushtetuese.

Po ashtu, sipas Dervishajt, është shkelur edhe parimi i shtetit të së drejtës dhe i paanësisë.

Bledar Dervishaj, përfaqësues ligjor i Presidencës

“Nëse një veprimtari hetimore ka nisur, në zbatim të ligjit për Komisionet Hetimore, ato kanë detyrë ta ndërpresin atë, në çastin kur janë në periudhë zgjedhore”, ka argumentuar Dervishaj.

Po ashtu, ai akuzoi Kuvendin se ka tentuar të ndërhyjë në mënyrën se si presidenti e ka ushtruar funksionin e tij. Për këtë arsye, sipas tij, Kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve.

Të gjitha këto detaje pra, për mbrojtjen e Metës, reflektojnë se e gjithë çështja është bërë për qëllim hakmarrjeje.

“Kuvendi kërkon të hakmerret ndaj presidentit”, nënvizoi Dervishaj.

Më tej, përfaqësuesit e Metës, kanë vijuar shtjellimin e çështjes, duke formuluar akuza mbi qeverisjen e katër viteve të shkuara.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta

Fillimisht, u citua raporti i OSBE-së për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Në optikën presidenciale, në to, OSBE-ja pari pikasur probleme me vjedhjen e votave dhe blerjen e tyre.

Më pas, Dervishaj përmendi edhe tërheqjen e opozitës nga Parlamenti, duke djegur mandatet. Kështu, sipas tyre, grupet parlamentare nuk e përfaqësonin më opozitën.

“Vetë shkarkimi i presidentit, erdhi nga këto grupe parlamentare, të cilat nuk e përfaqësojnë opozitën”, theksoi Dervishaj. “Për këtë arsye, është vendim i pavlefshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore