Lajme

Nis seanca e Apelit ndaj Gucatit e Haradinajt


Hysni Gucati e Nasim Haradinaj

Të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar seanca e Apelit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Haradinaj është i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit.

Ndërkaq Gucati është paraqitur në këtë seancë përmes video lidhjes, pasi i njëjti ishte nënshtruar një operacioni.

Ish krerët e UÇK-së po apelojnë aktgjykimin e dhënë nga trupi gjykues në maj të këtij viti ku të dy u shpallen fajtor dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Sipas tyre trupi gjykues kreu një numër gabimesh në ligj dhe në fakte si dhe gabime në dënime.

Gucati e Haradinaj kanë kërkuar nga Paneli i Apelit rrëzimin e fajësisë dhe lirimin nga të gjitha pikat.

Ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar e kundërshton këtë dhe i kërkon Panelit të Apelit të hedh poshtë çatë që kërkohet në Apel.

Gucati paraqitet në seancë përmes video-lidhjes e i ulur në karrocë për shkak të një operacioni të kryer pasi është përballur me probleme shëndetësore.

Ndryshe, Gucati dhe Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore