Lajme

Nis gjyqi për vrasësit e politikanit serb në Kosovë


Kanë dalë përpara Gjykatës në Kosovë gjashtë qytetarë serbë, të cilët akuzohen për vrasjen e ish-politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, në 16 janar të 2018-ës. Të gjashtë të pandehurit deklaruan se janë të pafajshëm.

Ivanoviç, një nacionalist i cili u kthye më pas në një politikan të moderuar, u ekzekutua me armë zjarri në hyrje të Partisë Social-Demokrate, në Mitrovicë.

Gjyqi i shumëpritur nisi të premten e pesë shkurtit në Kosovë. Ngjarja në kohën kur ndodhi, i kishte rritur për një kohë tensionet në Kosovë.

Gjashtë të pandehurit janë nën akuzë për ndihmën që i kanë dhënë një grupi kriminal për të kryer vrasjen.

Dy prej anëtarëve të bandës kanë fluturuar drejt Serbisë pas ngjarjes. Policia e Kosovës, ka lëshuar një urdhër arresti për ta, por autoritetet serbe ende nuk janë përgjigjur.

Në kohën e ngjarjes, Ivanoviç ishte në proces gjyqësor, për pretendime mbi vrasjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës çlirimtare të vitit 1999. Deri në vitin 2008, ai ishte kreu i serbëve të Kosovës.

Pas firmosjes së marrëveshjes së Brukselit, Serbia dhe Kosova filluan normalizimin e raporteve. Nga kjo kohë qasja e Ivanoviç në politikë ishte moderuar. Në vitin 2014 ai u akuzua për krime lufte dhe u burgos.

Në 2016-ën, u dënua me nëntë muaj burgim nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEX. Ndërkohë në vitin 2017, Gjykata e Prishtinës e anuloi këtë vendim duke e liruar politikanin serb dhe duke rinisur një proces të ri.

Gjatë kësaj kohe, Ivanoviç mori kërcënime të shumta, deri në çastin e vrasjes së tij, në janar të 2018-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore