Shqipëria

Nikolla nuk do ta lejojë PD-në të ‘shkatërrojë shtëpinë e shqiptarëve’, siç kanë bërë me shtëpinë e tyre


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka bërë me dije se e ka pritur me qetësi kërkesën e opozitës parlamentare, lidhur me shkarkimin e saj nga detyra.

Megjithatë, ka thënë se nuk ka gjetur asnjë gabim, në asnjë çast prej kur se e ka marrë detyrën si kryeparlamentare.

Këtë qëndrim shprehu ajo gjatë seancës plenare të 16 shkurtit, e cila ishte parashikuar të shihte diskutimet lidhur me kërkesën për shkarkimin e saj.

“Prita me qetësi kërkesën për shkarkimin tim, filllova të reflektoj, ktheva kokën se ku kisha gabuar, por më rezultoi se acarimet nuk kanë ardhur për shkakun tim, por edhe për përplasjet e brendshme të partisë”, iu drejtua ajo opozitës, duke iu referuar problemit të brendshëm të ndarjes në Partinë Demokratike.

Për më tepër, sipas Nikollës, kjo kërkesë nuk është ajo çfarë i duhej Kuvendit. Ndaj, ndihet e zhgënjyer, pasi sipas saj, kërkesës së PD-së, i mungon thelbi dhe qëllimi.

Ndër të tjera, Nikolla ka shtuar se ajo nuk ka shfaqur dy fytyra, siç pretendohet nga deputetët e opozitës, e aq më pak nuk ka shfaqur dy standarde në drejtimin e Parlamentit.

“Do j’ua them gjërat sy më sy, e keni tepruar me gjuhën në adresën time, por unë nuk do ju përgjigjem me të njëjtën monedhë. E tillë do të jem, zyra e kryetares së Kuvendit do të jetë e hapur për ju”, ka vijuar ajo.

Teksa, në përmbyllje, ka thënë se opozita kauzën e ka në ngërç.

“Në vend që të shpëtoni shtëpinë e demokratëve, po shkatërroni shtëpinë e shqiptarëve. Unë nuk do j’ua lejoj!”, përmbylli ajo, duke marrë edhe duartrokitje nga deputetët e shumicës.

Kërkesa për shkarkim ka ardhur nga 28 deputetë, nën arsyetimin e se kryeparlamentarja ka për qëllim mbrojtjen politike të kryeministrit, Edi Rama, gjatë seancave plenare.

E gjithë kjo, pasi Nikolla, më 26 janar 2023, mbylli seancën plenare, në një kohë kur opozita kishte bllokuar foltoren.

Sipas kreut të Grupit Parlamentar të demokratëve, Enkelejd Alibeaj, e gjitha është bërë për të mbrojtur Ramën politikisht.

“Veprimi i sotëm i Kryetares së Kuvendit, është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci. Në shkelje flagrante të Rregullores”, theksonte Alibeaj atëherë.

Por, tashmë, në akuzat ndaj Nikollës, për “mbrojtjen” e Ramës, janë shtuar edhe ato të “kapjes në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një agjent të FBI-së të lidhur me Rusinë”.

Këto janë pretendime të palës së djathtë, lidhur me rastin e Charles McGonigal, një ish-zyrtar i lartë i FBI-së, i cili është në proces gjykimi përtej oqeanit dhe është përfolur për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska dhe për njohje personale me kreun e Qeverisë shqiptare.

Sipas 28 deputetëve të PD kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, duke iu mohuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me çështjet e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës, ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit.

Ndaj, për këtë arsye, ata kërkojnë edhe zyrtarisht, shkarkimin e saj nga pozita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore