Lajme

Nicholas Burns: Mbrojtja e Tajvanit kundër pushtimit kinez, prioritet i SHBA-ve


Nicholas Burns

“Mbrojtja e Tajvanit kundër pushtimit kinez duhet të jetë prioriteti i SHBA-ve”.

Kështu është shprehur kandidati i zgjedhur nga presidenti amerikan, Joe Biden, për të qenë ambasador në Pekin, Nicholas Burns.

Sipas këtij të fundit, Kinës nuk duhet t’i zësh besë, pasi është si “minë me sahat”.

Gjatë fjalës së mbajtur në Komitetin e Senatit të SHBA-ve për marrëdhëniet me jashtë, Burns denoncoi ndërhyrjet e fundit të avionëve luftarakë kinezë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit dhe i quajti ato “të kundërshtueshme”.

Kina, tha është, është “agresive dhe e pabesё”, ndaj këmbënguli se rritja e mbrojtjes së Tajvanit kundër kërcënimit të pushtimit kinez duhet të jetë një përparësi e SHBA-ve.

Që nga viti 1979, SHBA-të e kanë njohur Republikën Popullore të Kinës, por Kongresi Amerikan ka kёrkuar gjithashtu qё Washingtoni t’i sigurojë Tajvanit mjete vetëmbrojtjeje.

Ishulli ka qeverinë e vet që nga marrja nga komunistët e Kinës kontinentale në vitin 1949, por Pekini e konsideron Tajvanin një pjesë të territorit të saj, që një ditë do të asimilohet me forcë nëse është e nevojshme.

Presidenti kinez, Xi Jinping, megjithatë kërkoi kohët e fundit një “ribashkim paqësor”.

Kandidati i zgjedhur nga presidenti amerikan, Joe Biden, për të qenë ambasador në Pekin, Nicholas Burns
Kush është Nicholas Burns?

Burns është një diplomat në karrierë, i cili ka punuar në një numër administratash amerikane, si qeverisjen e demokratëve, ashtu edhe në atë të republikanëve.

Ai akuzoi qeverinë kineze se po sillej në mënyrë “agresive” kundër Indisë përgjatë kufirit të tyre të gjatë me Himalajet, kundër Vietnamit, Filipineve, të tjerëve në Detin e Kinës Jugore dhe kundër Japonisë, në Detin e Kinës Lindore.

“Pekini ka nisur një fushatë kërcënimi kundër Australisë. Së fundmi madje edhe ndaj Lituanisë”.

“Gjenocidi në Xinjiang, abuzimet në Tibet, mbytja e autonomisë dhe lirisë së Hong Kongut dhe provokimet në Tajvan janë të padrejta dhe duhet të ndalen”, vazhdoi ai.

Burns theksoi gjithashtu se fuqia e Kinës nuk duhet të mbivlerësohet: “Ata kanë shumë pak miq. Ata nuk kanë aleatë të vërtetë”.

“Ne nuk duhet t’i ekzagjerojmë pikat e tyre të forta ose të nënvlerësojmë pikat e forta të Shteteve të Bashkuara”, i tha ai komitetit.

“Ajo që na nevojitet, është vetëbesimi se Shtetet e Bashkuara janë një vend i fortë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore