Aplikacione

Nga viti 2016, Facebook-u ka shpenzuar mbi 13 miliardë dollarë për sigurinë


Kompania teknologjike, Facebook Inc, ka njoftuar se ka investuar më shumë se 13 miliardë dollarë në masa sigurie që nga viti 2016.

Kjo vjen disa ditë pasi një gazetë raportoi se kompania kishte dështuar në rregullimin e “efekteve të këqija të platformës”, të cilat i kishin identifikuar studiuesit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se sipas Facebook-ut, tanimë numërohen 40 mijë njerëz që punojnë për sigurinë, krahasuar me 10 mijë të tillë pesë vjet më parë.

Ishte raportimi i javës së kaluar i “Wall Street Journal” që nxirrte se kompania minimizoi efektet negative tek përdoruesit e rinj të aplikacionit të vet, Instagram dhe pati një përgjigje të dobët ndaj alarmeve të ngritura nga punonjësit mbi mënyrën se si platforma përdoret në vendet në zhvillim nga trafikantët e qenieve njerëzore.

“Në të kaluarën, ne nuk i adresuam sfidat e sigurisë që herët në procesin e zhvillimit të produktit”, ka treguar kompania në një postim në blog. “Por ne kemi ndryshuar rrënjësisht atë qasje”, ka shtuar.

Facebook-u ka pohuar se teknologjia e tij e inteligjencës artificiale e ka ndihmuar të bllokojë tre miliardë llogari të rreme në gjysmën e parë të këtij viti.

Gjithashtu ka zbuluar se ka hequr më shumë se 20 milionë përmbajtje të rreme rreth COVID-19 dhe përmbajtje të ngjashme lidhur me vaksinën.

Kompania ka bërë me dije se tanimë heq 15 herë më shumë përmbajtje që shkel standardet e saj për gjuhën e urrejtjes në Facebook dhe në platformën e saj për ndarjen e fotove e videove, Instagram, sesa kur nisi për herë të parë në 2017-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore