Rajoni

Nga Specialja s’tregojnë sa do të qëndrojë Veseli në Kosovë


Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, s’ka treguar sa ditë do të qëndrojë në Kosovë, Kadri Veseli, ish-kryetar i Parlamentit të Kosovës, pasi ky i fundit ka ardhur për varrimin e nënës së tij, e cila vdiq të premten e javës së kaluar, në moshën 93 vjeçare.

“Për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e Veselit, nuk mund të japim asnjë informacion shtesë për vizitën e kujdestarisë në Kosovë”, tha Doyle.

Sipas tij, për shkak të arsyeve detyruese humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake udhëzoi sekretarin që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për zoterin Veseli për të takuar familjen”, tha Doyle.

“I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në mbajtje nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Të premten e shtatë janarit, në moshën 93-vjeçare, vdiq nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ajshe Veseli.

Kjo ishte bërë e ditur nga familjarët e Veselit përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Të dashur familjarë e miq, me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se sot, në moshën 93 vjeçare, ndërroi jetë nëna, gjyshja jonë Ajshe Veseli”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, tutje bëhen të ditura edhe informacione të tjera lidhur me varrimin.

“Varrimi bëhet sot, në orën 14:30, në Broboniq të Mitrovicës. Falënderojmë të gjithë qytetarët për ngushëllimet dhe ndarjen e dhimbjes me ne!”.

Ndryshe, më 5 nëntor, janë bërë një vit që kur ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ish Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli u nisën për në Hagë, si të dyshuar për krime lufte.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore