Shqipëria

Nga sot kufiri drejt Gjermanisë i hapur, kush përfiton dhe kush penalizohet?


Të dielën e 20 qershorit, zyrtarit hiqen kufizimet e udhëtimit midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, pas vendimit të kësaj të fundit më 18 qershor, për të miratuar rekomandimin e Këshillit Evropian për heqjen e kufizimeve me tre vende ballkanike.

Kështu, nga dita e sotme, shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të mund të kalojnë pa kufizime drejt shtetit gjerman.

Gjithsesi, për pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Gjermanisë, do të duhet të paraqesin sërish një test negativ ndaj Covid-19.

Të vaksinuarit plotësisht, përftojnë nga heqja e kufizimeve. Por, jo të gjithë. Gjermania, nga vaksinat në përdorim në Shqipëri, njeh vetëm ato nga Pfizer dhe AstraZeneca.

Një pjesë e mirë e qytetarëve ndërkohë, janë vaksinuar me vaksinat nga Sputnik V dhe Sinovac. Këta shtetas, kanë sërish nevojë të paraqesin test negativ ndaj Covid-19 ose një vërtetim që janë të shëruar nga virusi.

Për të shëruarit, vërtetimi duhet të jetë jo më pak se 28 ditë pas shërimit dhe jo më shumë se 6 muaj pas tejkalimit të infeksionit. Një vërtetim të tillë mund ta paraqesin edhe persona që kanë kryer vaksinimin dhe kanë krijuar imunitet ndaj Covid-19. Pra, persona, të cilët kanë antitrupat.

Nga Ambasada Gjermane, përpos këtyre detajeve, bëhet me dije se janë Landet Federale, ato që vendosin mbi karantinimin e detyrueshëm. Kështu, çdo Land mund t’u kërkojë udhëtarëve një periudhë të caktuar karantinimi.

Dokumentet e paraqitura në kufi duhet të jenë në versionin e printuar ose digjital, për të mbartur vlefshmërinë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore