Lajme

Nga premtimi për shuarjen e AKP-së në valen e re të privatizimeve – kush ia theu mendjen Kurtit?


Ilustrim

Javë më parë Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka shpallur një valë të re të privatizimit, e cila në vetvete përfshinë likuidimin e 52 aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëbotë në opozitë, ishte shumë kritikë ndaj mënyrës së privatizimit të ndërmarrjeve publike e shtetërore, madje përsëriste togfjalëshin se “do ta rishikonte procesin e privatizimit”, duke premtuar se me ardhjen në pushtet të tij Qeveria do ta shuante AKP-në, për njohësit e politikave ekonomike e njëjta përveç se është një ndryshim radikal i qëndrimeve në këtë aspekt, është edhe një dëshmi se procesi në fjalë mund të keqpërdoret për interesa të ngushta, siç ka ndodhur rëndom.

“Është e habitshme se si ka filluar ky proces nga AKP duke ditur qëndrimin e partisë në pushtet kundër privatizimit në të kaluarën dhe përkitazi me këtë mazhoranca duhet të sqarojë opinionin publik se pse ka ndërruar qëndrim, çfarë po synon me këtë valë të re, si do të ndikojë ky privatizim në strukturën ekonomike të Kosovës”, ka thënë për Albanian Post, ekonomisti Erton Bega.

Sipas Begës, privatizimi mund të cilësohet si i dëmshëm në rast se realizohet – siç është realizuar më herët – pa pasur një strategji, pasi e njëjta nuk sjell zhvillim ekonomik dhe nuk gjeneron vende të reja të punës, që në fakt janë dy nga qëllimet kryesore të këtij procesi.

“Një ndërmarrje në pronësi private synon rritjen vazhdimisht, ka vendimmarrje më të shpejt dhe udhëhiqet nga principi i fitimit, përderisa ndërmarrjet shoqërore ballafaqoheshin me humbje vazhdimisht dhe shteti shpenzon nga buxheti për të mbuluar humbjet. Megjithatë privatizimi mund të jetë i dëmshëm nëse bëhet me qëllimin e vetëm, pra ndërrimin e titullarit të pronësisë pa pasur strategji zhvillimore”, ka shtuar ai.

Erton Bega

Njëjtë si Bega, mendon edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili në parim pajtohet se privatizimi në Kosovë, historikisht ka qenë një proces i kriminalizuar.

Sipas tij procesi i privatizimit duhet të jetë transparentë, llogaridhënës dhe sidomos i bazuar në një biznes plan, e assesi në dëm të qytetarëve dhe të shtetit.

“Vetë fakti se në Kosovë janë privatizuar më shumë se 90 për qind e aseteve besojë që nuk do koment. Në vitin 1999 Kosova ka pasur afër 845 ndërmarrje dhe diku rreth 30 mijë hektarë në pronësi të saj dhe të gjithë janë privatizuar, apo më mirë të themi janë shkatërruar në mungesë të sundimit të rendit dhe të ligjit dhe gjithsesi me politizimin dhe kriminalizimin e këtij procesi. Në anën tjetër qeveria aktuale po dëshmon se atë që e ka kundërshtuar sot po e realizon, atë që ka tentuar ta stopojë sot po e vazhdon dhe e tëra kjo po e dëshmon një situatë alarmante që Kosovës është duke i munguar vizioni afatgjatë ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu për Albanian Post.

Safet Gërxhaliu

Gjatë fushatës zgjedhore të 14 shkurtit, Kurti premtonte shuarjen e aktivitetit të AKP-së.

Me të marrë pushtetin, Kurti, më 25 mars kërkoi nga AKP-ja pezullimin e shitjes së pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Këtë kërkesë ai e bëri teksa bordi i kësaj agjencie po mbante mbledhje.

Në agjendë të kësaj mbledhjeje ishin planifikuar disa vendime, si shitje me negocim, propozim për qiradhënie, transferim të kontratës së qirasë, shitje të pronave përmes tenderëve publikë të aseteve të ndërmarrjeve publike, memorandume të ndërmarrjeve të shituara me metodën e spin-off special.

Bordi i drejtorëve të AKP-së, gjatë mbledhjes ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë dhe komfor kësaj kishte pezulluar procesin e vendimmarrjes për pikat e pashqyrtuara sipas agjendës së propozuar.

Megjithëkëtë AKP nëpërmjet një komunikate për media të mërkurën e 25 marsit, ka shpallur shitjen e re të aseteve përmes likuidimit.

“AKP zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.55. Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 52 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tone”, thuhej në komunikatë.

Albin Kurti në fushatë zgjedhore

Në anën tjetër Fondi Sovran është në fazën përfundimtare të themelimit.

Në këtë frymë Qeveria e Kosovë, të mërkurën e 1 qershorit, një javë pasi që AKP-ja shpalli valën e re të privatizimit, ka miratuar draft koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran.

Gjatë prezantimit, i pari i ekzekutivit, potencoi se me Fondin Sovran, bëhet transformimi ekonomik, e më këtë do të ketë riorientim të investimeve dhe rritje të punësimit.

Si shkoi procesi i privatizimit ndër vite?

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në Kosovë, nga 3 mijë e 951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1 mijë e 762 prona, këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro. Ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2 mijë e 189.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës të quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Gjatë këtij procesi janë shitur edhe toka bujqësore, industriale, komerciale dhe toka ndërtimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore