Lajme

Nga premtimi për rishikim të marrëveshjes në mbrojtje të saj – Besnik Bislimi provon t’i përgjigjet tekstit të Albanian Post


Besnik Bislimi

Një shkrim i Albanian Post, me titull “Marrëveshja që po mbahet e fshehur: Kosova mund ta humbë pavarësinë energjetike – futet krejtësisht në kontrollin e operatorëve serbë”, ka qenë e vetmja mënyrë për ta detyruar zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe njëherësh shefin e ekipit negociator të Kosovës në Bruksel, Besnik Bislimin, që të flasë për Marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike.

Statusi, që vjen pas publikimit të shkrimit të AP-së, është teksti, apo deklarata e parë që Bislimi ka dhënë për këtë marrëveshje prejse kanë filluar negociatat.

Megjithatë, prapë, fare pak është shpjeguar në tekstin që tenton t’i japë përgjigje shkrimit të Albanian Post.

Bislimi shkrimin e fillon duke u arsyetuar se problemi me energjinë elektrike “ёshtё krijuar, mirёmbajtur dhe trashёguar tutje nga tё gjitha qeveritё e deritanishme”.

Bislimi shkruan se “çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015”.

Por, ky është një nga problemet.

Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti, një nga premtimet elektorale, e kanë pasur rishikim të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Kjo marrëveshje për energjinë është një nga marrëveshjet, të cilat i kishte kritikuar Vetëvendosje si të gabuara.

Gjithsesi, shkrimi i AP-së me burime brenda ekipit negociator tregon se situata mund të shkojë më keq, pasi pala serbe po kërkon të shkojë edhe përtej dakordimit të arritur në vitin 2015.

Megjithatë Bislimi siguron se bëhet fjalë vetëm për “vendosjen e matёsve tё energjisё, mirёmbajtjen e matёsve, faturimin dhe inkasimin”.

“Nuk do ketё asnjё operator shtesё pёrveç Elektrosever dhe asnjё shёrbim shtesё nё fushёn e distribucionit, pёrtej katër shёrbimeve të cekura më lart, tё dakorduara nё vitin 2015 dhe pёrtej katër komunave nё veri tё Republikёs Kosovёs”, shkruan ai.

Albanian Post të martën, 14 qershor, do të publikojë pjesën e dytë të tekstit, i cili sqaron se cili parashikohet të jetë fushëveprimi i operatorit serb Društvo Elektrosever dhe çka rrezikon Kosova në aspektin energjetik me futjen në territorin e vendit të këtij operatori që pronar ka kompaninë serbe të energjisë elektrike “Elektroprivreda”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore