Shqipëria

Nga largimi i Bashës deri te pjesëmarrja e deputetit “non grata” – Çfarë ndodhi në seancën plenare?


Seanca e dytë plenare e Kuvendit të Shqipërisë ishte ndryshe nga ajo e para, dhe jo për shkak të interpelancave, por për arsye të pjesëmarrjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i përjashtuar tashmë nga Partia Demokratike (PD).

Edhe pse rendi i ditës parashikonte trajtimin e 13 çështjeve për diskutim, debati parlamentar u hap me akuza nga kryedemokrati Lulzim Basha, drejtuar qeverisë “Rama 3”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Në mungesë të të parit të kësaj qeverie, fill pas fjalës së tij dhe pak minuta para mbërritjes së Berishës, Lulzim Basha u largua nga Kuvendi.

Mu në hyrje të Kuvendit, Berisha ka zbuluar se “kam gjetur mekanizimin si do t’i fitojmë zgjedhjet e 6 marsit”.

Kjo, sipas tij, përfshin dhe “negociata të mundshme” me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha

“Negociatat janë në vazhdim dhe ne do t’i fitojmë këto zgjedhje. Këto janë zgjedhje ku ndeshet qytetaria me kleptokracinë”, deklaroi Berisha në prag të Kuvendit.

Por nuk ishte kjo e vetmja çështje që e shqetëson Berishën.

Edhe pse demokratet janë dyzuar mes lidership-it zyrtar, Lulzim Basha, dhe atij të së shkuarës, Sali Berisha, konflikti Ukrainë-Rusi ishte më në vëmendje të ish-kryeministrit.

Ky i fundit, nga foltorja para deputetëve të Shqipërisë, akuzoi qeverinë se nuk po ndihmon Ukrainën me armë dhe municione, për shkak se mbështet Serbinë.

Jam këtu për të ngritur zërin, për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari”, tha Berisha në fjalën e tij duke iu referuar ngjarjeve të javëve të fundit nga konflikti Ukrainë-Rusi.

Sipas Berishës, qeveria shqiptare duhet të dërgojë të paktën fishekë, por, “argati i Beogradit jo më kot hesht”, tha Berisha duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, pas arritjes së një sërë marrëveshjesh në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan” mes tij, kryeministrit maqedonas dhe presidentit serb.

Nga ana tjetër, ai iu drejtua dhe deputetëve demokratë, duke u thënë se ata duhet që ta ngrenë zërin pasi përfaqësojnë PD-në dhe jo kreun Lulzim Basha.

Berisha në përfundim theksoi se po kërcënohet një vend sovran dhe heshtja e shtetit shqiptar, sipas tij, nuk është e duhura.

Por, fokusin kryesor të Parlamentit të Shqipërisë e ka kthyer kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla

Drejtuar Berishës, ai tha se “një deputet non-grata nuk duhej të ishte i pranishëm në sallë”.

Ndërsa, duke iu referuar akuzave të Berishës në lidhje se pse Shqipëria nuk ndihmon Ukrainën për sa u përket ngjarjeve të fundit me Rusisë, Balla tha se, “qëndrimi ynë është në kuadër të asaj që instrumentalizon Rusia, është i qartë me të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Në radhë të parë me SHBA-të”.

Balla i ktheu përgjigje edhe për sa i takon raportit të “Transparency International” për korrupsionin në Shqipëri.

Ai tha se, në krahasim me vitin 2013, kur të majtët erdhën në pushtet ka një dallim të madh.

Kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve nuk ka harruar pa përmendur dhe zgjedhjet e 6 marsit.

Ai e ka përmbyllur fjalën e tij, duke thënë se socialistët janë të kënaqur që do të marrin një nga bastionet e mëdha të Shqipërisë, Shkodrën, në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

“Ne kemi detyra të tjera. I kënaqur që PS-ja do të marrë qeverisjen e Shkodrës se të tjerat patjetër që do t’i marrim”.

Kuvendi i Shqipërisë seancën e parë plenare për këtë vit e nisi me një fjalim të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës së tij më 17 janar.

Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan

Presidenti turk ravijëzoi se krijimi i një mjedisi të përhershëm besimi, paqeje dhe stabilitetit janë prioritete të politikës së jashtme turke.

Në përfundim, ai theksoi se marrëdhënia midis Turqisë dhe Shqipërisë është e thellë dhe e palëkundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore