Lajme

Nga kritikat për Ministrinë e Financave, (mos)bashkëpunimi me qeverinë e presioni ndërkombëtar – çka tha Vjosa Osmani?


Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

Ndryshe nga intervistat politike e konferencat për medie, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ftuar në emisionin Radar ka shpalosur shumë gjëra duke filluar nga jeta e saj private, familja, fëmijët e deri tek jeta dhe angazhimet politike.

Duke folur për dialogun e Kosovës me Serbinë, ajo theksoi se në relacion me presionin ndërkombëtarë po sigurohet që të mos rrëshqas nga “rruga e drejtë”.

“Ka shumë presion, më shumë në raport me Kosovën sesa në raport me Serbinë. Kosova është vend 100% pro evropianë e amerikanë, është shembull i demokracisë e zbatimit të ligjit, ndërsa Serbia një shtet autokratik, që e përkrahë Rusinë, por që po e përkëdhelin”.

“Ne e kuptojmë sepse është interes edhe gjeopolitik, por kjo nuk do të thotë që presioni të fokusohet te Kosova sepse janë bërë shumë koncesione përgjatë viteve dhe po sigurohemi që cilido hap përpara që behet nuk e prekë funksionalitetin e shtetit tonë, territorin dhe sovranitetin tonë, sepse pastaj do t’i lëmë fëmijët, nipat e mbesat tona tu u marrë me problemet tona”, tha presidentja Osmani.

Raportet dhe bashkëpunimin me kryeministrin Albin Kurti tha se nuk e ka të keq. Për më tepër ajo theksoi se “është vlerë të cilën Kosova nuk e ka pasur një kohë të gjatë”, që institucionet të bashkëpunojnë e koordinohen mes vete, sikur tani.

“Kemi bashkëpunim të mirë. Ka sektorë në të cilët bashkëpunojmë më shumë, ka sektorë në të cilët bashkëpunojmë më pak, ka sektorë në të cilët pajtohemi çdo ditë, ka sektorë në të cilët nuk pajtohemi fare, por çka synojë të bëjmë është kjo që, mospajtimet tona i diskutojmë duke e kuptuar që të dyja palët e kemi qëllimin e mirë, që është jeta më e mirë e qytetarëve dhe gjejmë zgjidhje përpara. Nuk mendojë që armiqësia në mes të institucioneve e ndihmon Kosovën, përkundër krijon një imazh të keq”, tha presidentja.

Por, kjo nuk do të thotë që nuk kritikohen shpesh, theksoi Osmani.

Ajo përmendi mospajtimet që kishte me qeverinë rreth Ligjit të Pagave.

“Për ligjin e pagave unë kam pasur mospajtime të mëdha që i kam shprehur dhe po shpresoj që kanë për t’i marrë parasysh këto vërejtje, sepse ka sektorë të cilët duhet të trajtohen shumë më dinjitetshëm”.

“Sepse përtej nivelit të pagës është çështje dinjiteti, sidomos për sektorët që e mbajnë gjallë shtetin tonë, që e mbrojnë shtetin tonë, pra nuk është që nuk kemi mospajtime por ulemi e i zgjidhim ato”, tha Osmani.

Një nga temat të cilën tregoi se e ka shtyrë përpara edhe gjatë kohës sa ishte deputete në Kuvendin e Kosovës, tha të ketë qenë rritja e buxhetit për barnat esenciale.

Karshi interesave të qytetarëve, ajo pati një kritikë të vogël për Ministrinë e Financave.

“Ministria e shëndetësisë kërkon më shumë, Ministria e Financave që e shikon këtë aspekt nga numrat, financat, kontabiliteti, nuk i shtyjnë përpara shumë kërkesa që unë mendoj që janë në interes të qytetarëve dhe duhet të shtyhen”.

“Sepse jo gjithçka është numër, jo gjithçka është kontabilitet. Nevojat më të rëndësishme të qytetarëve duhet të shtyhen përpara brenda këtij buxheti”, u shpreh presidentja Osmani.

Cilat janë ndryshimet që u premtuan nga Presidentja?

Presidentja ka premtuar që nga pozicioni i saj do ta përfaqësoj Kosovën me nderë, dinjitet e profesionalizëm duke treguar në çdo cep të botës të vërtetën e Kosovës, theksoi ajo.

“E them pa asnjë dyshim që deri sot nuk ka ndodhur që më shumë të tregohet ajo e vërtetë, që të mbrohet ajo e vërtetë. Kemi përfaqësuar Kosovën në aso mënyre që sot edhe matjet që bëhen brenda Kosovës shihet çfarë reflektimi kanë qytetarët e Kosovës jashtë vendit”, u shpreh presidentja.

“Kjo ka rëndësi, se si liderët janë imazhi i shtetit jashtë vendit, e shohin përgjigjen në raport me ne, sa kemi përkrahje ndërkombëtare, jo vetëm politike, sa kemi investime nga investitorët e huaj”.

Megjithatë, që ndryshimi të vërehet ajo thotë se duhet akoma kohë.

“Për tu ndjerë ky ndryshim merr pak kohë, por janë duke u parë, kemi shumëfishim të përkrahjes, kemi dyfishim të investimeve nga jashtë të cilat pastaj ndikojnë në rritjen e vendeve të punës, kjo nuk do të thotë që gjithçka është bërë, përkundër duhet bërë shumëçka tjetër”.

Për presidenten nuk është e panjohur kriza ekonomike me të cilën po përballen kosovarët, por thotë se po punon çdo ditë, brenda mandatit që ta përmirësoj këtë status.

“Pasi që kemi qëlluar në një kohë ku jo vetëm ne, por e gjithë Evropa është goditur nga kriza ekonomike, energjetike, një inflacion që nuk është parë në dekada dhe të gjitha këto nënkuptojnë jetë më të rëndë, më të vështirë, ku pagat që merren në sistemin tonë aktual vështirë se dalin për shumicën e familjeve për ta mbyllur muajin dhe këtë ne e kuptojmë. Dua të sigurojë qytetarët se secili veprim që e bëj, është për t’u marrë me këto probleme, për t’i zgjidhur ato, për të kërkuar edhe ndihmë nga jashtë”, specifikoi presidentja.

Ajo garantoi se presidenca është një nga institucionet e Kosovës ku asnjë emërim nuk është bërë pa meritokraci, profesionalizëm dhe të bazuar në ligjet në fuqi.

“Nuk ka në presidencë shkelje të ligjit. Kemi raportet e auditorit që tregojnë që as një vërejtje e vetme nuk është. Nuk ka shkelje, nuk ka tejkalim të procedurave. Ka përfaqësim ku sundimi i ligjit është parim i yni i çdoditshëm”.

“Integritetin” ajo e radhiti si premtimin e tretë, për të cilin u shpres se do të duhej të ishte “shtylla themelore e secilit zyrtarë shtetërorë”, që ajo vet e ka dhe po tregohet pozitive nga disa matje të cilat ajo i përmendi vazhdimisht në emision, por që nuk dha më shumë detaje se cilat matje dhe nga kush ishin bërë?

“Të mbrosh me çdo kusht shtetin, shtyllat kryesore të tij, duke e respektuar kushtetutën dhe ligjet dhe jo duke parë interesa të tjera të ngushta e duke i vendosur ato para integritetit, pra këto i kemi premtuar dhe besoj që qytetarët po e vlerësojnë këtë përfaqësim edhe në matjet që po bëhen brenda e jashtë vendit”.

Ndër të tjera ajo u shpreh se nuk merret vetëm me çështjen e kufijve, por brenda kompetencave që ka bën punë që ndërlidhen edhe me mirëqenien sociale, shëndetësore e arsimore.

“Nuk ka ditë, që unë si presidente, si institucion, që nuk shtyjmë përpara nga një temë, bashkë me shumë shtete të tjera që janë të interesuara të na ndihmojnë, ku së paku nga një problem e trajtojmë në muaj, çoftë për gratë e sëmura nga kanceri, për fëmijët që vuajnë nga sëmundjet e rënda. Mbështetja ime si presidente nuk ka qenë vetëm deklarative, por nuk ka muaj që skam shtyrë diçka përpara”.

“Tash a ndryshohet gjithçka shpejt? Nuk ndryshohet”, përfundoi ajo.

I mungon privatësia

Presidentja Osmani ka dy vajza binjake të cilat tani vijojnë shkojnë në klasën e tretë.

Si presidente, ajo u shpreh se angazhimet nuk ja mundësojnë që të kalojë kohë mjaftueshëm me vajzat dhe familjen.

“Natyrisht kisha pas dëshirë të kem shumë më shumë kohë për vajzat e mija, ato po rriten, tash i kanë 9 vjet janë në klasën e tretë. Ngarkesa e tyre në shkollë është shumë më e madhe edhe pse çdo natë punojmë me to me detyra, tash e kanë kohën e testeve. Teste në matematikë, njeriu e natyra. Tentojmë t’u ndihmojmë”, u shpreh presidentja Osmani.

Në listën e gjerave të munguara, ajo u shpreh se “privatësia” kalon në epërsi.

“Sepse thuajse asgjë më nuk është private. Ta zëmë prindërit e mi me motrat e vëllai kanë qenë në Korçë për vitin e ri 2-3 ditë. Janë pastaj këto protokollet e sigurisë që nuk mund të shkosh, duhet t’i organizosh në atë mënyrë siç i organizon policia. Pastaj në vend që këto pastaj të kalojnë në kohë kualitative me familjen shndërrohen në tema, kështu nuk shkova fare”, tregoi ajo.

Komentet rreth dukjes së saj tha se nuk i bëjnë përshtypje fare.

“Të ju them shumë sinqerisht nuk kam kohë të merrem me to. Më pengon që përmes gjuhës së urrejtjes në jetën online nëse mund ta quaj, dekurajohen vajzat e reja që të merren me politikë, sepse unë kam kaluar probleme shumë më të mëdha në jetën time publike dhe këto shumë më lehtë edhe kapërdihen dhe vazhdon tutje. Sepse punët e shtetit janë më të mëdha dhe nëse merresh me këto nuk arrin kurrë të merresh me problemet e vërteta”, tha Osmani.

“Por, më dhemb që dekurajohen vajzat e reja të merren me politikë e ti shërbejnë popullit”.

“Mendoj që janë për keqardhje, kemi një seksizëm të jashtëzakonshëm edhe në gjuhën që përdoret edhe ato që i lexojmë çdo ditë, sepse po të ishte një burrë president nuk ishin marrë me shumë nga këto tema që merren sot”, tha ajo.

“Por kjo nuk do të thotë që duhet të dorëzohemi para këtyre sfidave, përkundër unë dua të inkurajoj vajzat e reja që të zgjedhin ti shërbejnë shtetit në cilindo profesion që duan të zgjedhin, nga profesionet e sigurisë, në sportet që deri dje janë konsideruar vetëm për djem e deri tek zyra e presidentit e kryeministrit”, u shpreh Osmani.

Dita e Presidentit

Në Ditën e presidentit, Osmani tha se pret vizita të fëmijëve nga rajone e shkolla të ndryshme brenda Kosovës.

“Është interesante, se kur i pyesja fëmijët çfarë doni të bëheni kur të rriteni, thonin polic, police, mësuese. E tash kur i pyes kush do të bëhet presidente, gati 80 përqind të fëmijëve e ngritin dorën, por edhe djemtë”, theksoi ajo.

Të qenurit president i shtetit, thotë trë mos e kishte menduar as kur ishte e vogël.

“Kur kam qenë e vogël kam mëndu që nuk ka profesion dhe pozicion që nuk mund ta arrijë, por atëherë ka qenë një situatë ndryshe, veç të shkosh në shkollë ka qenë sfidë ne vete”.

“Sepse jemi rritë në një sistem ku vetëm të mësosh në gjuhën tënde, ka nënkuptuar që po e rrezikon jetën, prandaj të shkosh në shkolla ka qenë një ideal i jashtëzakonshëm”.

“Edhe si të vegjël e kemi pas këtë barrë që të bëjmë çmos që të mos ndalemi në përpjekjet tona që të shkollohemi”.

“Më shumë sesa të mendoj se çka do të bëj kur të rritem, mendimet e mija kanë qenë se si të sigurohemi se si popull në betejën tonë të dalim fitimtarë”, tregoi Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore