Sport

Nga Inter-i te Shqipëria, Asllani: Përpiqem të jap më të mirën, do të vijë koha ime


Mesfushori kuqezi dhe i Inter-it, Kristjan Asllani ka folur në një intervistë për të përditshmen italiane “Tuttosport”.

20-vjeçari pritet të luajë për herë të parë titullar me fanellën zikalter në Serie A. Kjo pas dëmtimit të mesfushorit kroat, Marcelo Brozovic.

“Sa keq që humbëm Marcelo-n, një lojtar themelor për ne. Por nëse më vjen radha, jam gati. Në fund do përpiqem të jap më të mirën time”, thotë Asllani.

Inter do të ketë një ndeshje relativisht të vështirë, pasi përballë do të ketë Roma-n e Jose Mourinho-s. Takimi vjen në një moment jo shumë të mirë për skuadrën e Simone Inzaghi-t, e cila po vuan jo pak këtë fillim sezoni.

“Duhet të mendojmë nga ndeshja në ndeshje. Kemi një ndeshje shumë e vështirë ndaj Romës, një skuadër e fortë. Të shohim si do shkojë ndeshja, por duhet të luajmë domosdoshmërisht për tre pikët”, thekson 20-vjeçari.

Përsa i përketë fillimit të keq të sezonit, mesfushori pohon se “Ne punojmë gjithmonë mirë dhe fort gjatë javës. Jam i sigurt se rezultatet do të vijnë”.

Gjatë fazës parasezonale, Asllani ishte ndër lojtarët më të dalluar te skuadra e Inter-it. Por, teksa filloi sezoni i ri, minutat e tij kanë qenë me pikatore.

“Në parasezon u stërvita mirë dhe luajta disa ndeshje, duke dhënë më të mirën time kur dola në fushë, si gjithmonë. E përsëris atë që thashë më parë: kur të vijë koha ime do të jem gati dhe i lumtur”, vijon të thotë mesfushori shqiptar.

Pas Roma-s, Inter ka një tjetër përballje të fortë. Këtë radhë do të ndeshet me Barcelona-n në UEFA Champions League. Dhe nëse duan të kalojnë turin, atëherë duhet ta mposhin skuadrën katalanase.

“Sigurisht, duhet të luajmë për të fituar kundër Barçës, por ne do të mendojmë për ta kur të vijë java e Champions League”, tha Asllani, duke shtuar se “tani e rëndësishme është Roma. Kemi parasysh vetëm ndeshjen e së shtunës kundër Verdhekuqve”.

Në fund, ai foli dhe ndeshjen që Shqipëria luajti përballë Islandës në “Air Albania” për Ligën e Kombeve. Ndryshe nga tre ndeshjet e mëparshme të kuqezinjëve, ku ai ishte aktivizuar, kësaj radhe ishte në stol dhe pse nuk kishte asnjë dëmtim.

“Jashtë për zgjedhje teknike. Unë jam një djalë i ri, është kështu, gjëja e rëndësishme do ishte fitimi i ndeshjes por as kjo nuk ndodhi, më vjen shumë keq”, përfundoi lojtari me orgjinë nga Elbasani.

Këtë sezon, Asllani është aktivizuar në tre ndeshje në total, dy në Serie A dhe një në Champions League, ku pati dhe debutimin.

Megjithatë, në total në të tre ndeshjet, mesfushori kuqezi ka marrë vetëm 30 minuta, të shpërndara në 24 në Serie A dhe gjashtë në Champions. Në gjashtë sfida të tjera mes Serie A dhe Champions League, ai ka qëndruar në stol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore