Lajme

Nga e hëna, vaksinim masiv në Maqedoninë e Veriut me Sputnik V


Vaksinimi masiv i popullsisë kundër Covid-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të fillojë të hënën e 5 prillit. Njerëzit do të marrin vaksinën “Sputnik V”.

3 mijë qytetarë do të vaksinohen në disa pika të qytetit, në “A1 Arena”, salla “Boris Trajkovski”.

Në këtë fazë do të vaksinohen ata që punojnë në Ministrinë e Brendshme, gazetarët, si dhe personat që kanë më shumë kontakte. Do të vaksinohen shoferët e autobusëve, zjarrfikësit, mësuesit.

Vaksinimi do të realizohet në 48 pika. 20 mijë vaksina janë dhuruar nga Serbia.

Vaksinimi masiv me AstraZeneca

Kujtojmë që më 31 mars, Republika e Maqedonisë së Veriut filloi vaksinimin masiv me dozat e AstraZeneca-s.

Rreth 20 mijë qytetarë mbi 77 vjeç do të marrin vaksinën në pikat e shpërndara në të gjithë vendin.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, pikat e vaksinimit do të punojnë në dy turne dhe do të jenë të hapura nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës.

Përmes mekanizmit Covax, të dielën arritën 24 mijë vaksina AstraZeneca.

Katër mijë, fillimisht, u njoftuan se do të përdoren për të punësuarit në infrastrukturën shtetërore, gazetarët, gjykatësit dhe prokurorët, shoferët e autobusëve, zjarrfikësit, edukatorët e kopshteve dhe të punësuarit në pikat rrugore.

Sidoqoftë, vaksinimi i kësaj kategorie duket se nuk do të ndodhë, pasi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se vendi do të ndjekë shembujt e Kanadasë dhe Gjermanisë.

Pra, ai shpjegoi se Maqedonia e Veriut nuk do të vaksinojë personat nën 60 vjeç me vaksinën e AstraZeneca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore