Shqipëria

Nga diktatura te sulmet kibernetike, Irani nuk është më i mirëpritur në Tiranë


Qeveria shqiptare ndërpreu të mërkurën e 7 shtatorit, pas një sulmi të paprecedentë kibernetik, marrëdhëniet diplomatike me Teheranin zyrtar.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili i dha kohë 24 orë misionit diplomatik iranian që të largohej nga Shqipëria.

Ura e vetme e marrëdhënieve mes vendeve ishte veçse ajo diplomatike, pasi lidhjet tregtare dhe kulturore janë pothuajse inekzistente.

Krisja e parë në aksin Shqipëri-Iran filloi në dhjetor të vitit 2018, pasi dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër për “dëmtim të sigurisë së saj kombëtare”.

Në janar të vitit 2020, autoritetet shqiptare do të dëbonin edhe dy diplomatë iranianë.

Ata u dëbuan për veprimtari të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik, një frazë e përdorur shpesh në rastet e spiunazhit.

Për tetë vitet e fundit, Shqipëria anëtare e NATO-s, ka organizuar një kamp për anëtarët e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), e cila është një nga organizatat më të fuqishme opozitare të regjimit islamik të Iranit.

Grupi u zhvendos në Shqipëri sipas një marrëveshjeje të arritur me mbështetjen e SHBA-ve, pasi anëtarët e tij ishin sulmuar në bazën e tyre të mëparshme në Irak, pas rrënimit të regjimit të Saddam Husseini-t në 2003.

Prania e disidentëve ka qenë një burim i fërkimit të vazhdueshëm me Iranin.

Lideri suprem i Iran-it, Ali Khamenei do t’i referohej asokohe Shqipërisë si “një vend i vogël, por shejtan (djall) evropian, ku elementët amerikanë komplotojnë me tradhtarët iranianë dhe planifikojnë sulme kundër Republikës Islamike”.

Diktaturë

Gjatë viteve 1950, Turqia dhe Irani konsideroheshin si nga blloku komunist, ashtu edhe nga bota arabe si agjentë të fuqive perëndimore. Për Iranin kjo do të zgjaste deri në rënien e Shahut në 1979 dhe fitoren e Revolucionit Islamik.

Pavarësisht izolimit, nga fundi i vitit 1976 Shqipëria kishte marrëdhënie diplomatike me shtatëdhjetë e katër vende, shumica prej të cilave ishin shtete arabe dhe islamike.

Në janar të vitit 1979, në prag të periudhës së dëbimit të Shahut nga Irani, në një hyrje të një prej veprave të tij, të titulluar “Lavdi popullit iranian!”, diktatori shqiptar Enver Hoxha kritikonte ashpër edhe një herë politikën kineze në Lindjen e Mesme. Hoxha shkruante:

“Kështu që këtë herë CIA humbi në Iran, nuk ishte në gjendje të triumfonte siç bëri me kryengritjen e Mossadekut [në fillim të viteve 1950], sepse kësaj radhe kryengritja ka marrë përmasa kolosale. Nafta e Iranit nuk derdhet më në çisterna britanike, amerikane, kineze dhe të tjera”.

Hoxha e shikonte Lindjen e Mesme si një zonë të botës ku shtete, anëtare të NATO-s, Bashkimi Sovjetik dhe Izraeli ndërhynin secili për interesat e tyre kombëtare, në dëm të shumicës dërrmuese të banorëve të rajonit.

Hoxha theksonte gjithashtu se sovjetikët “trajtuan . . . me doreza për fëmijë” Shah Muhamed Reza Pahlavi, të cilin e etiketonte si “lake të imperializmit dhe kapitalizmit botëror”.

Më 15 shkurt të vitit 1979, dy javë pas kthimit të Ayatollah Khomein-it në Iran nga mërgimi në Paris, Hoxha pohoi se ngjarjet në Iran “ishin revolucion anti-imperialist, jo me karakter fetar”.

Ai vazhdoi të besonte se ky ishte rasti edhe më 27 dhjetor të vitit 1979, më shumë se një muaj pasi iranianët morën pengje në ambasadën amerikane, një veprim që Hoxha e mbështeti pasi e konsideronte “të ashtuquajturin staf diplomatik” si “asgjë veçse agjentë sekretë”.

Diktatori shqiptar shkruante në vitin 1983 se “kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të zgjidhet kurrë derisa populli i martirizuar palestinez të rifitojë atdheun e tij të vjedhur nga agresorët izraelitë”.

Përfshirja

Pavarësisht natyrës së tyre heterodokse, bektashinjtë morën mbështetje nga Irani që nga rënia e komunizmit në Shqipëri.

Përmes Fondacionit Saadi Shirazi, iranianët kanë financuar shumë programe kulturore të dizajnuara për të treguar se “nacionalizmi shqiptar dhe Islami shkojnë së bashku”.

Irani do të demonstronte përkushtimin e tij ndaj kauzës së myslimanëve të Ballkanit përmes aktiviteteve ekonomike, ushtarake dhe kulturore në Ballkan që nga fillimi i viteve 1990.

Republika Islamike e Iranit ka qenë e para e cila dërgoi municionet e nevojshme për ushtrinë boshnjake në luftë.

Më 3 prill 1999, e përditëshmja “New York Times” raportoi pretendimet e zyrtarëve shqiptarë dhe trafikantëve të armëve se Irani dërgoi deri në katër ngarkesa armësh për ushtarët e Kosovës.

Sipas një raporti radiofonik të Forcave të Mbrojtjes izraelite të 8 prillit, Ministria e Jashtme izraelite pretendoi se kishte një “raport sekret… që zbulonte se në terrenin e luftës shqiptarët po vepronin për të siguruar pavarësinë e Kosovës duke marrë në një pjesë të madhe financime nga Irani”.

Presidenti reformator iranian i asaj kohe, Mohammad Khatami, do i kundërshtonte fuqishëm bombardimet e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999 duke e dënuar ashpër aleancën.

Irani në vitin 2008 refuzoi të njihte pavarësinë e Kosovës si hakmarrje për shtypjen e grupeve të mbështetura nga Irani në Shqipëri dhe Kosovë.

Kjo, dhe për faktin se Kosova ishte një komb pro-perëndimor i mbështetur nga SHBA-të, që kundërshtonte fuqishëm Rusinë dhe Kinën.

Me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, liria e vetme mes Shqipërisë dhe Iranit tanimë mbetet ajo tregtare.

Historiku i tyre respekton traditën “e vështirë” mes palëve. Nga diktatura te sulmet kibernetike, Irani nuk është më i mirëpritur në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore