Shqipëria

Nga “Defender 21” tek Presidenca, Gjeneral Begaj gëzon mbështetjen e plotë të amerikanëve


Gjeneral Major Bajram Begajn e ndan veçse votëbesimi në Parlamentin e Shqipërisë nga posti më i lartë shtetëror në Shqipëri, ai i Presidentit të Republikës.

Me procedurën, e cila pritet të jetë veçse një formalitet, Begaj do të lërë postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për t’iu drejtuar dhe për të drejtuar, funksionin e majës piramidale në hierarkinë institucionale shqiptare.

Puna e Begajt gjithsesi nuk është e re në syrin e publikut dhe çasti kur ka spikatur më shumë, ka qenë viti 2021, kur Shqipëria priti stërvitjen më të madhe ushtarake në Ballkan në tre dekadat e fundit: Defender Europe 2021.

Vetë Begaj ka qenë përgjegjës për mbarëvajtjen e të gjithë atmosferës stërvitore. Në përfundim, jo vetëm që gjithçka u vlerësua maksimalisht dhe pati sukses, por i hapi rrugën një sërë ngjarjesh të tjera shumë të rëndësishme në Shqipëri.

Pikë së pari, vendi ynë është një kandidat potencial shumë i fuqishëm për mikpritjen e një tjetër stërvitjeje ushtarake shumë të madhe, siç është “Defender Europe 2023”.

Për t’u përmendur, vlen edhe kthimi i bazës ajrore të Kuçovës në një bazë ajrore ushtarake të NATO-s. Një tregues ky i përfshirjes strategjike të Shqipërisë në vizionin e zhvillimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Së treti, ashtu si] e ka deklaruar më parë edhe kryeministri Edi Rama, një bazë detare mund të jetë projekti i radhës tepër i madh ushtarak në vend, në Pashaliman të Vlorës.

Të tre këto ngjarje me rëndësi kombëtare të mbrojtjes, kanë dy emërues të përbashkët: Gjeneral Maroj Bajram Begajn dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fakt, mbështetja që këta të fundit kanë për figurën e Begajt, nuk ka munguar të shfaqet asnjëherë hapur, qoftë edhe në publik.

Në misione të shumta të “Defender Europe 2021”, përtej figurave të larta ushtarake, takime të shpeshta me Begajn ka patur edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Jo pak herë ata kanë pritur kontingjente të ushtarëve amerikanë në Shqipëri.

Në një prej këtyre mbërritjeve, ka marrë pjesë edhe Albanian Post, ku tregohet qartë fryma e lartë e bashkëpunimit.

Bashkëpunim i cili ka vijuar edhe më tej, kur në Tiranë mbërriti disa javë më parë Gjenerali amerikan me katër yje, Tod D. Walters, i cili e ka lartësuar në mënyrë të padiskutueshme figurën e Begajt, të kryeministrit Rama dhe të Shqipërisë në përgjithësi, për rolin e madh që po luan në stabilitetin e rajonit e më gjerë.

Ndaj, nuk është mangët të thuhet se prej ngjarjeve të rëndësishme ushtarake si “Defender 21”, deri tek Presidenca, Bajram Begaj, ka pasur pas vetes edhe mbështetjen shumë të madhe të SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore