Shqipëria

Nga “biznesmene” në shitëse kanaçesh, shtetasja jep dëshminë në SPAK


Në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, është paraqitur të martën e 12 korrikut shtetasja Merita Hajdari.

Kjo e fundit, rezultonte si njëra prej përfaqësuesve të kompanive pranë inceneratorëve.

Dëshmia e saj erdhi pas asaj të çiftit të të moshuarve, Rruzhdije dhe Shkëlqim Meta.

Më parë, pranë SPAK-ut u paraqitën edhe shtetasit Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi.

Të gjithë këta qytetarë figurojnë, sipas denoncimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), si pronarët e disa prej 24 kompanive të cilat kanë bërë evazion fiskal me inceneratorët.

Hajdari ka deklaruar jashtë kamerave për mediat se ajo ka shitur gjatë gjithë jetës së saj “kanaçe për riciklimin e aluminit”.

Qytetarja ka mbërritur në ambientet e prokurorisë në praninë e dy djemve të saj.

Kjo, për të kërkuar informacion në lidhje me emrin e saj në listën e biznesmenëve aktivë pranë inceneratorit.

Gjatë ditës, SPAK pezulloi disa prej kompanive të cilat ishin aktive me inceneratorët.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia shqiptare “BalkanWeb”, duke cituar burimet e saj.

Agjencia ka siguruar emrat e tre prej këtyre kompanive, të cilat janë; “Froggy”, “Best Services”, “Frogy 03”.

SPAK nisi verifikimet më 5 korrik pas denoncimit të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi deklaroi se 24 kompani kanë kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal të lidhura me inceneratorët.

Më 4 korrik, Kryemadhi paralajmëroi se do t’i paraqesë të tjera prova SPAK-ut, sa i përket çështjes së inceneratorëve.

Sipas saj, janë 24 kompani, të cilat janë të lidhura me njëra–tjetrën dhe dyshohet se kanë kryer evazion fiskal me shtetasin Klodian Zoto, emri i të cilit lakohet me çështjen e inceneratorëve.

“Ka blerje korruptive, të ndara në fatura të vogla, nuk blihet në llogari bankare që lëvizja financiare mos bëhet me llogari bankare, por kesh, e shitja nga fruta ekzotike në beton është bërë me pagesë bankare, por pagesat bankare nuk janë kryer. Përveçse pagesat nuk kryhen, kompanitë që kanë bërë blerje marrin dhe rimbursimin e TVSH-së”.

Kjo gjë është hedhur poshtë kompania e inceneratorëve “Integrated Energy”, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook.

Nga kompania kanë theksuar se nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Kryemadhi.

“Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona”.

Prokuroria po kryen hetimet e nevojshme, mes të cilave përfshihet edhe marrja në pyetje e personave, të cilët rezultojnë pronar pa dijeninë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore