Shqipëria

Nga 1999-a në 2019-n, rënie e numrit të shtretërve në spitalet publike


Portali qeveritar i të dhënave, Open Data Albania, përmes një hulumtimi lidhur me numrin e shtretërve në spitalet publike, duke analizuar të dhënat nga viti 1999 deri në vitin 2019, ka nxjerrë se është vënë re një rënie e numrit të shtretërve.

Megjithatë, përpos kësaj rënieje ndër vite, është dalluar se viti 1999 ka shënuar numrin më të lartë të shtretërve në spitalet publike me 10 mijë e 207 shtretër.

Ndërsa, në të kundërt, viti 2017 ka shënuar numrin më të ulët të shtretërve me 8 mijë e 169 shtretër, ose 2.84 shtretër për 1 mijë banorë.

Nga ana tjetër, është theksuar se rotacioni politik dhe ndërrimi i mandateve ndër vite, nuk e ka ndryshuar trendin rënës nga 1999-a deri në vitin 2017, me tkurrje shtretërish në total për një mijë banorë.

Këto analiza janë fokusuar në paraqitjen e një krahasimi midis rajonit dhe Bashkimit Evropian lidhur me numrin e shtretërve për vitin 2019, pra situatë përpara fillimit të pandemisë. Dhe burimi i të dhënave është marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eurostat si edhe Banka Botërore.

Open Data Albania, duke realizuar një krahasim me vendet e BE-së për vitin 2019, pak para pandemisë, numri i shtretërve për një mijë banorë rezulton në 5.3 kurse Shqipëria me 2.4 shtretër më pak për një mijë banorë se mesatarja e vendeve të BE-së.

Pamje nga shtretërit e rinj të vendosur në Spitalin e Traumës, Tiranë

Ndërkohë, listën e kryeson Gjermania me 7.9 shtretër për çdo një mijë banorë kurse shtete si Suedia dhe Danimarka shënojnë numër më të ulët shtretërish sesa Shqipëria.

Sipas Open Data Albania, teorikisht ekzistojnë dy arsye që karakterizojnë rënien e numrit të shtretërve në spitale. Një mundësi është problematika dhe mungesa e investimeve në sistemin shëndetësor. Ndërsa, mundësia tjetër, lidhet me eficencën e rritur të sistemit në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

Për të ilustruar këtë mundësi, janë marrë të dhënat lidhur me treguesin xhiro e shtratit. Ai paraqet numrin e të sëmurëve që janë shtruar në një shtrat gjatë vitit. Duke u fokusuar në periudhën 1999-2019, ky tregues ka pësuar një rritje graduale vit pas viti duke arritur vlerën maksimale në vitin 2019 me 35 të shtruar për shtrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore