Film

Netflix me një dokumentar për Biggie-n


Netflix do ta nderojë Christopher Wallace, i njohur gjithashtu si Biggie Smalls apo The Notorious BIG, me një dokumentar të ri.

Platforma mediatike lançoi trailer-in e dokumentarit tij “Biggie: I Got A Story To Tell” (Biggie: Kam Një Histori për të Treguar), të hënën.

Biografia do të eksplorojë famën e reperit legjendar nga Brooklyn, trashëgiminë në industrinë e muzikës dhe vdekjen e tij të parakohshme më shumë se 20 vjet më parë.

Dokumentari do të shfaqë pamje të papara kurrë më parë. Ato janë të filmuara nga shoku i tij më i mirë, Damion “D-Roc” Butler.

Producentët ekzekutiv janë nëna e të ndjerit Voletta Wallace dhe bashkëpunëtori i tij Sean “Diddy” Combs. Të dy gjithashtu kontribuojnë në intervista të sinqerta në dokumentar.

Traileri përmban intervista me miqtë e tij më të ngushtë dhe anëtarët e familjes. Në këtë mënyrë, dokumentari pritet të ofrojë një anë tjetër të Biggie-t që bota kurrë nuk e dinte.

“Biggie mori famë brenda natës”, thotë Combs, i cili, në vitet ’90, ndihmoi artistin në fillimet e tij të karrierës .

“Isha e lumtur që ai po bënte diçka me jetën e tij,” shfaqet duke thënë nëna e tij në trailer.

I famshëm për këngët hit si “Hypnotize”, “Juicy” dhe “Mo’ Money Mo’ Problems”, Wallace u qëllua fatalisht në moshën 24 vjeçare në Los Angeles më 9 mars 1997. Ngjarja ndodhi afërsisht gjashtë muaj pas vrasjes së kundërshtarit të tij në Hip Hop, Tupac Shakur, në Las Vegas.

Albumi i Wallace “Life After Death”( Jeta Pas Vdekjes) u publikua në javët pas vdekjes së tij.

“Biggie: Kam Një Histori Për të Treguar” debuton në Netflix më 1 mars 2021.

Christopher Wallace, u bë pjesë e Rock and Roll Hall of Fame më 2 maj, 2020 në Auditoriumin Publik të Cleveland.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore