Shqipëria

Nesër nisim bisedimet me Shqipërinë dhe RMV-në, thotë Borrell


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se BE-ja ka zhbllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Lajmi u bë i ditur pas mbërritjes në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme.

“Ky është një moment historik, pas kaq vitesh pritjeje me statusin e kandidatit, pa ndodhur asgjë, votimi përfundimtar në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut ka hapur një derë. Dhe nesër, konferenca ndërqeveritare do të nisë procesin e negociatave – një proces i shumëpritur”, u shpreh Borrell.

Përfaqësuesi evropian theksoi se ky është një lajm i mirë.

“Nuk kemi shumë lajme të mira, ky është një lajm i mirë. Shpresoj se kjo do të rrisë angazhimin tonë me Ballkanin”, shtoi Borrell.

Më 16 korrik, parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet me të cilat miratoi propozimin francez për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me 68 nga 120 vota.

North Macedonia Backs Compromise To Clear EU Path; Accession Talks Set For  July 19

Që atëherë pritej që Konferenca Ndërqeveritare me të dyja vendet të mbahej më 19 korrik.

Këshilli duhet të miratojë paraprakisht Kornizën Negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Një ditë më pas, në Sofje u nënshkrua një protokoll dypalësh midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

IGC-ja

Radha ndërkohë, i takon mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Ajo në çfarë ky format, i njohur shkurtimisht si IGC (Inter-Governal Conference), konsiston, është takimi dypalësh mes strukturave të posaçme të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së një vendi kandidat.

Takimet nga radhët e BE-së i drejton përfaqësuesi i vendit që ka Presidencën e unionit në periudhën e përcaktuar kohore kur takimet mbahen.

Në to, ka një qëllim kryesor dhe ai është paraqitja e artikujve dhe kapitujve ligjorë që duhen arritur nga vendi kandidat.

Në tërësi, janë rreth 130 mijë faqe material, të grupuar në 35 kapituj.

Vendi anëtar duhet ta sjellë legjislacionin e vet në kushte identike me ato të vetë unionit.

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore